Shtete e Bashkuara mbështesin ngritjen e një sistemi drejtësie të paanshëm dhe bazuar në sundimin e ligjit. Kështu deklaroi Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë Yuri Kim, gjatë një takimi me anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor. Diplomatja amerikane i përgëzoi ata për përpjekjet e tyre në përmirësimin e administrimit të gjyqësorit dhe gjykatave.
Sikurse njofton Ambasada e SHBA-së, Kim theksoi “përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të ngritur një sistem drejtësie të paanshëm, bazuar në sundimin e ligjit, ndërsa Shqipëria përpiqet të përmbushë potencialin e saj të plotë duke krijuar institucione të forta demokratike”.
Më 30 janar, ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Kim u takua me anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe i përgëzoi ata për ngritjen e bazave për themelimin e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme. Po ashtu, ambasadorja Kim ka zhvilluar takim me me prokurorët e Zyrës së Prokurorisë së Posaçme si dhe Prokurorin e Përgjithshëm ku ka garantuar mbështetjen e SHBA-së për të çuar para procesin e Reformës në Drejtësi.