Kisha e Shën Venerandës, në lindje të fshatit Pllanë (Lezhë) e ngritur në lartësinë e kodrës mes një gjelbërimi do ti nënshtrohet së shpejti restaurimit. Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore bëri të ditur sot se Këshilli Kombëtar i Restaurimeve ka miratuar projektin e restaurimit “Restaurimi i kishës së Shën Venerandës”, Pllanë, Lezhë. Projekti i hartuar nga IKTK parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kishës, që janë kryer me sukses.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. Monumenti është një ndërtim i shek. XIV i stilit Benediktin dhe falë marrëdhënieve të pallatit të Romës me Monolin si perandor i Kostandinopojës, vendimet merreshin direkt nga Papati. Në anën e jashtme kisha është trajtuar thjeshtë, ndërtuar me gurë të papunuar gëlqerorë dhe shtufi. Narteksi është i hapur e i rrethuar me arkada mbi pilastër me prerje katrore, me muraturë, me tulla të kuqe. Dera kryesore e kishës ndodhet në faqen perëndimore, një tjetër derë ndodhet në pjesën qendrore të faqes veriore të Naosit. Në faqen lindore ka një apsidë rrethore të madhe e të lartë, si dhe dy nike të vogla anash. Kisha ndriçohet prej 7 dritaresh, të cilat janë me hark dhe një është rrethore. Naosi mbulohet me tavan druri, i cili vazhdon pa ndërprerje edhe në pjesën e Mafilit.
Kisha përmendet në dokumente historike të shek. XVII, ku kalon në vartësinë e peshkopatës së Lezhës, Krujës apo Durrësit.