Sheshi “Nënë Tereza”, u mbush mbrëmjen e sotme si kurrë më parë për të festuar 100-vjetorin e shpalljes kryeqytet. Emrat më të njohur të muzikës popullore shqiptare dhe tiranase, si Artjola Toska, Bujar Çiçi, Irma Libohova, Merita Halili, Pajtim Struga, Sinan Hoxha dhe Valbona Mema u ngjitën në skenë duke elektrizuar publikun.
Por surpriza më e madhe ishte vetë Kryebashkiaku Veliaj i cili u ngjit në skenën e improvizuar si Ura e Tabakëve me veshje tironse teksa këndoi bashkë me artistët “Ku ka si Tirona”. “Tirana jonë filloi para 100 vitesh kur u bë kryeqytet me vetëm 10 mijë banorë, në 100 vite është rritur 100 herë, se vetëm një zemër e madhe si Tirona ka hapësirë edhe për Tepelenën, edhe për Tropojën, edhe për Shkodrën dhe për Sarandën dhe për Korçën, edhe për Kukësin, se Tirona zemra e madhe ka vend për të gjithë.
Ndaj nuk ka rënësi nëse jeni den baba den tironsë, si familjet e nderuar që vlerësuam sot, që ia hapën shtëpinë e tyre qeverisë shqiptare para 100 viteve, që të ishte ky qyteti i sigurt, ky qyteti bujar, ky qyteti i dashurisë, ky qyteti i punës, ky qyteti i ahengut, ky qyteti i miqësisë”, tha Veliaj.