Në Itali është rritur në 288 numri i personave të infektuar nga koronavirusi.Sipas të dhënave të Mbrojtjes Civile, rastet e infektuar janë identifikuar në 20 provinca, në Lombardi, Lodi (101 raste), Kremona (39), Pavia (17), Bergamo (14), Milano (3), Monza Brianza (2), Sondrio (1); në Veneto, Padova (30), Venecia (7), Treviso (1); në Emilia Romagna, Piacenza (17), Parma (4), Modena (1), Rimini (1); në Piemonte, Torino (3); në Toscana, Firence (1), Pistoia (1); në Trentino Alto Adige, Bolzano (1); në Siçili, Palermo (1); në Lazio, Romë (3). Në Lombardi ka 35 raste të konstatuar pozitiv dhe ndodhen në spital.
Në zbatim të dekretit qeveritar të ditës së shtunë, administratorët e rajoneve më të prekur – Lombardi dhe Veneto – por jo vetëm, kanë marrë masa si mbyllja e shumë bareve, diskotekave, pezullimin e mësimit në shkolla për të paktën një javë si dhe pezullimin e eventeve publike.
Ministria e Brendshme në Itali ka mohuar lajmin për mbylljen e shkollave në të gjithë Italinë. Në deklaratën e saj thuhet se “Policia e Shtetit ka raportuar përhapjen në mediat sociale të shumë mesazheve të rreme apo lajmeve të rreme, të cilat prodhojnë alarm të pajustifikuar, përfshirë lajmin Fake se të gjitha shkollat në Itali për shkak të urgjencës së koronavirusit janë mbyllur”.
Ministria e Brendshme ka vendosur të pezullojë eskursionet arsimore, duke filluar nga data 23 Shkurt 2020, si për destinacionet në Itali, por edhe jashtë saj, dhe ka pezulluar përkohësisht vizitat në muze, parqe arkeologjike dhe vende të tjera të kulturës.