“Eshtë koha për të zbutur tonet dhe të ndalet paniku”, – ishin këto fjalët që theksoi më shumë kryeministri italian Giuseppe Conte në selinë e Mbrojtjes Civile në Romë bashkë me komisarin përgjegjës për emergjencën e koronavirusit, Angelo Borrelli dhe gjithë ministrat gjatë një video konference me guvernatorët e rajoneve të Italisë. Conte tha se paniku, shtoi kësaj edhe emergjencën shëndetësore, janë pasojat e frikës së pakontrolluar në vend aq sa RAI-t iu kërkua të ndalojë alarmet e kota kurse Ministri i Jashtëm Luigi di Maio ka përgatitur një plan kundër lajmeve të rreme për Italinë në pjesën tjetër të botës Dëmi ekonomik i shkaktuar nga izolimi i vendosur në zonat e prekura dhe masat paraprake të shtrira në të gjithë Italinë (anulimi i konferencave, panaireve, ngjarjeve publike, udhëtimeve shkollore), tani për tani janë të vështira për t’u llogaritur. Por të kombinuar me dëmet e masave të pajustifikuara të vendosura nga shtetet e tjera, dhe fryrjen e frikës në jetën e përditshme të miliona qytetarëve, mund ta ulnin vendin në gjunjë, duke e bërë edhe më të ndërlikuar menaxhimin e krizës.

Raportet ekonomike që kanë mbërritur në tryezën e qeverisë janë shqetësuese po të kemi parasysh se provincat e prekura (Pavia, Lodi, Kremona dhe Milano) kanë vlerë 12% të PBB-së italiane dhe 2% të asaj të Eurozonës. Vetëm në ‘zonën e kuqe’ ka 63 kompani të mesme dhe të mëdha, duke mos llogaritur dyqane dhe biznese, me mbi 4000 të punësuar dhe 1.7 miliard euro në qarkullim në vitin 2019. Sipas kryeministrit italian, “Ndërhyrja në mënyrë drastike ishte thelbësore, por duhet të jemi të kujdesshëm në mënyrë që të gjitha masat të jenë proporcionale dhe jo kundërproduktive “.

Guvernatori lombard Attilio Fontana dje e përcaktoi koronavirusin si “pak më shumë të rrezikshëm se gripi normal” kurse Walter Ricciardi, anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Organizatës Botërore të Shëndetit, dhe tani këshilltar në Ministrinë e Shëndetësisë për virusin, tha se “Nga 100 njerëz të sëmurë, 80 shërohen spontanisht, 15 paraqesin probleme serioze por të menaxhueshme në mjedisin e kujdesit shëndetësor, 5% shumë seriozë dhe vetëm 3% e tyre vdesin ”, duke shtuar se “të gjithë 11 viktimat e koronavirusit ishin në kushte të rënda shëndetësore edhe si pasojë e sëmundjeve të tjera të mbartura ndër vite”. Për qeverinë italiane shqetësimi kryesorë është shëndeti i popullatës, por pikërisht për këtë arsye informacioni për rrezikun e epidemisë duhet të jepet si duhet, pa alarme dhe tone të larta paniku dhe frike. Ministri i jashtëm Di Maio tha se “Ka shumë lajme të rreme të përhapura në vendet e tjera në lidhje me emergjencën e epidemisë në Itali”, se ” zonat e prekura nga koronavirusi janë të limituara” dhe se ai do ti kërkojë të gjitha vendeve të mos zbatojnë masa joproporcionale ndaj Italisë.

Teksa në pesë vende europiane, dhjetë shtetas italianë apo shtetas të huaj të kthyer nga Lombardia janë identifikuar të infektuar, histeria kolektive ka përfshirë shtetet fqinje me Italinë dhe jo vetëm të cilët nuk janë menduar dy herë për të vendosur masa kufizuese apo dhe karantinore nga frika e infeksionit. Në lidhje me çështjen Kryeministri Conte e quajti të padenjë sjelljen e këtyre vendeve duke shtuar se qeveria italiane nuk mund t’i pranojë këto veprime. Por, të paktën nga vendet e BE kryeministri ka marrë garancinë se nuk do të ketë mbyllje të kufijve. Conte tha se për shërbimi Kombëtar i Shëndetit, mjekët dhe shkencëtarët italianë konsiderohen të jenë të nivelit më të lartë në Europë dhe gëzojne besimin e të gjithëve, pavarësisht se Franca u ka kërkuar qytetarëve të saj që të shmangin udhëtimet në zonat e infektimit. Ndërsa epidemia e Coronavirus në Itali ka alarmuar popullsinë dhe ka vënë në provë të vështirë politikën, për Brukselin nuk do të preket Zona Shengen, gjë e cila u rikonfirmua edhe njëherë sot Komisarja Europiane e Shëndetit Stella Kyriakides.

Gjithsesi, pavarësisht masave të menjëhershme të ndërmarra që në momentin e parë të shpërthimit të epidemisë, alarmi i koronavirusit mbetet i lartë në veri të Italisë, ku pikat e kontrollit që kontrollojnë zonat e ashtuquajtura të ‘kuqe’ të prekur nga emergjenca janë rritur nga 15 në 35 ndërkohë që numri i viktimave është 11, të gjithë të moshës së tretë dhe mbi 80 vjeç, me probleme të mëparshme shëndetsore, kurse të infektuarit e identifikuar janë mbi 300. Giovanni Rezza, drejtor i departamentit të sëmundjeve infektive të Istitutit Superiorë të Shëndetit, tha në një konferencë për shtyp se “Në Itali ka një një numër të madh të të moshuarve mbi 75 vjeç dhe kjo shpjegon shkallën e vdekshmërisë 2-3%. Për kreun e mbrojtjes civile italiane, Angelo Borrelli, situata është nën kontroll pas ndërhyrjes me masa të rënda të cilat besohet se kanë nisur të japin efektet e para. Deri tani numri i personave të infektuar nga koronavirusi në Itali është 325 kurse numri i viktimave ka shkuar në 11, të gjithë të moshës së tretë dhe me sëmundje të tjera të mbartura.