Ambasada e Shqipërisë në Romë njofton për situatën e emergjencës të krijuar pas përhapjes së koronavirusit duke informuar se deri tani nuk ka informacion për asnjë shqiptar të prekur.Ambasada shqiptare në Romë thotë se autoritetet shqiptare janë “në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë italiane dhe Departamentin e Mbrojtjes Civile të Këshillit të Ministrave për masat e përbashkëta për parandalimin e perhapjes së virusit në territorin shqiptar”.
Njoftimi i plotë:
Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, dhe Konsullatat e Përgjithëshme në Milano dhe në Bari po ndjekin me vëmendje situatën e emergjencës së krijuar nga përhapja e koronavirusit Covid19 në disa rajone të Italisë. Deri tani nuk kemi informacion për qytetarë shqiptarë të prekur.Informacioni mbi identitetin e të prekurve mbetet i rezervuar në bazë të normativës europiane për mbrojtjen e të dhënave personale.
Ambasada e Shqipërisë në Itali së bashku me MEPJ dhe Ministrinë tonë të Shëndetësisë, janë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Shëndetësisë italiane dhe Departamentin e Mbrojtjes Civile të Këshillit të Ministrave për masat e përbashkëta për parandalimin e perhapjes së virusit në territorin shqiptar.U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë në Itali dhe atyre që udhëtojnë për dhe nëpër Itali të respektojnë masat e urdhëruara nga autoritetet italiane në situatën e emergjences.Ambasada në Romë dhe Konsullatat e Përgjithshme në Milano dhe Bari vazhdojnë normalisht punën në shërbim të qytetarëve. Informime të mëtejshme do të vijojnë në vartësi të zhvillimit të situates.