Zëdhënësja e Autoritetit Portual të Durrësit Elitjana Doko në një lidhje të drejtpërdrejtë për “News 24” nga porti i qytetit bregdetar deklaroi se porti dhe institucionet kanë marrë masa për ndalimin e virusit.
“Masat janë marrë që kur OBSH ka dhënë informacionin. Këtu mjekët, aambulancat janë në gatishmëri. Duke qenë se virusi ka pasur përhapje në afërsi të Shqipërisë, në Itali, kemi shtuar sigurinë, me mjekë dhe ndihmës mjekë të Institutit të Shëndetit Publik”, tha Doko.
Zëdhënësja theksoi se deri tani nuk ka asnjë rast të dyshuar për pacientë të sëmurë me koronavirus.
“Ministria e Shëndetësisë ka ngritur tashmë Task Forcën. Ishin tre kinezë që kanë hyrë në Shqipëri, të cilët para vendit tonë kishin qenë në shtete europiane, por ne morëm masa. Atyre iu është bërë kontrolli, iu mat temperatura dhe jemi në gatishmëri të plotë si port. Media duhet të japë informacion më të saktë. Situata po shikohet 24 orë në 24, nga të gjitha instancat tona. Nuk ka pasur asnjë rast të dyshuar gjatë gjithë kësaj kohe. Ne si port zbatojmë të gjitha masat e Ministrisë së Shëndetësisë”, deklaroi Doko.