Ka histori që fillojnë keq dhe mbarojnë më keq. Mateo Kovacic arriti te Real Madridi, sepse u kërkua fort nga Rafa Benitez, i cili nuk kaloi as një sezon të tërë në stolin e “Los Blancos”. Pas shkarkimit të trajnerit spanjoll, presidenti Florentino Perez zgjodhi Zinedine Zidane si trashëgimtarin e tij. Ardhja e francezit në pankinë, megjithatë, nuk ishte një lajm i mirë për kroatin, që mbeti jashtë tri finaleve të Ligës së Kampionëve.
Për “FourFourTwo”, Kovacic foli për sezonet te Real Madridi dhe marrëdhënien me trajnerin transalpin: “Ishte bukur të luaja për Zidane, por mendoj se duhet të më kishte dhënë një mundësi në finalen e tretë të Ligës së Kampionëve, që luajtëm”. Kroati kishte mbetur tashmë jashtë ndeshjes kundër Atletico Madrid (2015-2016) dhe Juventusit (2016-2017) dhe skenari përsëritej kundër Liverpool-it (2017-2018). Në sezonin e fundit që luajti me të bardhët, Kovacic ishte aktivizuar në 16-she, në çerekfinale dhe në gjysmëfinale të Champions-it, por ditën e aktit të fundit mbeti jashtë: “Kjo ishte arsyeja e pakënaqësisë sime, por futbolli është i tillë dhe ne u ndamë pa probleme të mëdha”.
Pas Kupës së Botës 2018, Kovacic u largua nga Reali dhe nisi një jetë të re te Chelsea, ku akoma luan nën urdhërat e Frank Lampard, i cili verën e kaluar zëvendësoi Maurizio Sarri, fituesin e “Europa League” me klubin e veriut të Londrës. Kroati e krahasoi trajnerin aktual me Zidane: “Lampard është i jashtëzakonshëm. Ai stërvit me të njëjtin personalitet që kishte si lojtar. Ka qenë një burim frymëzimi për të gjithë ne. Lampard është i ngjashëm me Zidane, në mënyrën se si duhet të jetë trajner”.