Ministri Fuqiplotë i Emergjencës për tërmetin e 26 nëntorit Bledi Çuçi i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” tha se kryeministri ka qenë shumë afër grupit të punës, por se asnjëherë ai publikisht nuk ka dhënë një shumë për faturën, duke pasur gjithmonë kujdes.

Çuçi theksoi se janë verifikuar gjithsej 50 mijë banesa në mbarë vendin, ndërsa shtoi se do të ketë verifikime të thelluara për rastet, ku ekspertët në fund do japin mendimin e tyre.

“Kryeministri ka qenë shumë afër grupit të punës. Ai nuk ka folur kurrë me shifra. E ka thënë vetëm kur grupi i ekspertëve ka thënë një shifër. Kryeministri tha se janë rreth 1 miliardë, nuk ka dhënë shifër të saktë. Kemi verifikuar mbi 50 mijë banesa në të gjithë vendin. Kemi përdorur sistemin e OSHEE-së, që është sistemi më i mirë që ekziston në vend. I kemi verifikuar pra 50 mijë banesa.

Ky është vetëm konstatim e sigurisht që kur të vijë puna te marrëdhënia e cdo banori në raport me vlerën e dëmit, është një proces që do bëhet mbi bazën e një verifikimi. Do të bëhen verifikime të thelluara me ekspertiza të mirëfillta, sepse ata do të marrin në finale vendimin nëse një godinë është për t’u shembur apo jo. Mund të thotë edhe se mund të rindërtohet. Aplikimet online verifikohen të gjitha nga bashkia. Shtëpitë e dëmtuara në fshat, pasi aty ne mendojmë që të ndërtojmë shtëpi të reja për ata që kanë banesat e shkatërruara”, tha Çuçi.