Albin Kurti ka marrë sot detyrën si Kryeministër si dhe ka zhvilluar mbledhjen e parë të kabinetit. Kryeministri Albin Kurti pasi uroi kabinetin qeveritar tha se do të punojnë në emër të qytetarëve. “Është kënaqësi të ju shoh të gjithëve kështu të entuziazmuar për rolin dhe detyrën që e keni marrë dhe e kemi marrë bashkërisht. Po e filloj duke uruar secilin prej jush, për pozitën dhe përgjegjësinë që keni për t’i shërbyer qytetarëve, është mirë ta themi që në fillim që ky kabinet është i qytetarëve dhe ne punojmë në emër të tyre dhe për ta”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri tha se anëtarët e kabinetit nuk do të pushojnë deri sa të shpërblejnë besimin e qytetarëve. Ai shtoi gjithashtu se do të ishte mirë që ministrat e ri të dilnin më shumë në terren e jo të rrijnë në zyrë. “Nuk mund të pushojmë deri sa ta shpërblejmë besimin e tyre, 100 ditët e para do të jenë të zëna me angazhim dhe me përkushtim maksimal. Karriget i kemi por jam i bindur se më shumë do të rrijmë në këmbë për shkak të punëve të shumta që na presin, programi ynë është ambicioz aq sa janë edhe pritjet e qytetarëve. Sytë e të gjithë popullit tashmë janë te ky kabinet qeverisës, do të ishte mirë që të gjithë ne të mësojmë përmendësh programin e dalë nga marrëveshja e përbashkët, sepse me të do të zgjohemi në mëngjes dhe do të flejmë në mbrëmje. Ministri i Bujqësisë duhet të kalojë më shumë kohë me fermerët sesa në zyrën e tij e Ministri i Shëndetësisë me mjekët dhe me pacientët, jo të rrijnë ulur në kolltukë e të urdhërojnë nga larg por të zbresin poshtë sa më afër te qytetari. Mandati mund të jetë edhe privilegj por është mirë që ta kuptojmë si privilegj për të shërbyer e jo për të urdhëruar”, tha Kurti
Kurti shtoi se sukseset dhe dështimet e kësaj qeverie janë të përbashkëta dhe jo personale. “Sukseset dhe dështimet janë të përbashkëta dhe jo personale. Në këtë qeveri do të jemi qeveria e Republikës së Kosovës, dera ime është e hapur për çdo ditë në çdo orë dhe çdo minutë, asgjë nuk është më e rëndësishme se sa zbatimi i programit. Mos të harrojmë që qeverisja jonë është pasqyrë me të cilën qytetarët e shohin vet veten”, përfundoi Kurti.