“Kemi rritur disa herë financimin për barnat si dhe po sigurojmë kushtet bashkëkohore për ruajtjen e tyre, në mënyrë që qytetarët të kenë më shumë siguri për trajtimet medikamentoze”. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, inspektoi depon e re të barnave në QSUT, e cila pritet të përfundojë së shpejti, me standarde bashkëkohore.

“Para disa viteve as që mund të mendohej një investim i tillë, një strukturë bashkëkohore për ruajtjen dhe sigurinë e barnave sepse qytetarët nuk kishin as barnat bazë në spitale, ndërkohë që vetëm në spitale financojmë më shumë se 40 milionë dollarë në vit për barnat për qytetarët dhe 100 milionë dollarë për barnat e rimbursueshme”, tha Manastirliu. Duke u ndalur tek rritja e përfitimeve për qytetarët, Ministrja e Shëndetësisë u shpreh: “Nga indeksimi i çmimeve të barnave të miratuar së fundmi nga qeveria, krijohet mundësia për të rritur përfituesit që marrin falas barnat me rimbursim dhe sigurimin e terapive të reja të mjekimit”.

Sa i takon investimit për depon e re të barnave në QSUT, Manastirliu tha se “ky është një investim që në thelb i shërben sigurisë së qytetarëve, barnave të sigurta për ta, kombinimeve të barnave që do të kryhen në kushtet e duhura për terapi sa më efikase për pacientët, ruajtjes me standarde te medikamenteve dhe padyshim edhe transparencës për qarkullimin e barnave brenda shërbimeve të QSUT”. Ndërtimi i depos qendrore të barnave të QSUT, me një sipërfaqe mbi 2600 metër katror, përfshin edhe aparaturat e teknologjisë së lartë. Depo qendrore e barnave në QSUT do të ketë 7 dhoma frigoriferike për ruajtjen dhe magazinimin e barnave dhe materialeve të mjekimit, sipas standardeve më të mira bashkëkohore.

Godina e re qendrore për ruajtjen dhe sigurinë e barnave do të ketë edhe karantinë për barnat e skaduara apo materiale të rrezikshmërisë së lartë. Me përfundimin e ndërtimit të depos qendrore të barnave në QSUT do të garantohet më shumë siguri për qytetarët për ruajtjen e medikamenteve dhe materialeve mjekësore sipas standardeve bashkëkohore.