Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti sot kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Tiranë. Kryetari i Kuvendit, Ruçi i uroi Kryeministrit Kurti suksese në detyrën e lartë dhe shprehu besimin e plotë se “nën lidershipin tuaj, Qeveria e Kosovës do t’i përballojë me sukses sfidat e vështira të zhvillimit, integrimit dhe fuqizimit të rolit e kontributit të Kosovës si një faktor paqeje, sigurie e stabiliteti në rajon”.

“Sakrificat tuaja si politikan konseguent janë një garanci për realizimin e këtij misioni dhe vënien në jetë të programit ambicioz qeverisës. Kuvendi i Shqipërisë do të jetë si gjithmonë në mbështetje të bashkëpunimit midis të dy vendeve dhe do të nxisë edhe më tej bashkëpunimin ndërqeveritar”, u shpreh Ruçi. Nga ana e tij, Kryeministri, Kurti falënderoi Kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçi për mbështetjen e vazhdueshme të Kuvendit dhe të tijën personale ndaj bashkëpunimit Shqipëri-Kosovë dhe vuri në dukje se ky bashkëpunim do të forcohet edhe më tej.

“Ne do të bashkëpunojmë me Qeverinë e Shqipërisë për lehtësimin e procedurave për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara midis të dy vendeve, nënshkrimin e marrëveshjeve të reja si edhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave e shërbimeve midis Shqipërisë dhe Kosovës,” theksoi Kurti.