Qendërsulmuesi uruguaian Luis Suarez ia ka dhënë një lajm të mirë Barcelonës, pasi që ai është duke u shëruar nga lëndimi i tij më shpejt sesa që ishte menduar fillimisht. Luis Suarez është duke vuajtur për momentin nga një lëndim i gjurit të djathtë, shkaku i të cilit edhe është bërë operacion. Lëndimi, të cilin e pësoi gjatë humbjes 3:2 në gjysmëfinale të Superkupës së Spanjës kundër Atletico Madridit, ishte në po të njëjtin vend si me lëndimin që ia kishte pamundësuar atij të luante në finale të Kupës së Mbretit kundër Valencias sezonin e kaluar.
Para se të lëndohej, Suarezi kishte luajtur në 23 ndeshje këtë sezon dhe kishte kontribuar me 14 gola për klubin katalonas. Pas operacionit, Suarez pritej të mos kthehej më këtë sezon, megjithatë Goal ka mësuar se procesi i tij rikuperues po shkon më shpejt sesa që ishte menduar, pasi që tanimë e ka hequr allçinë nga këmba. Sulmuesi beson se ai mund të kthehet në kohë për gjysmëfinalet e Ligës së Kampionëve, që do të zhvillohen në fund të prillit, nëse Barcelona arrin deri në atë fazë. Nëse Suarezi kthehet në atë periudhë, atëherë ai do të mundë t’i ndihmonte Barcelonës edhe në katër ndeshjet e fundit të sezonit në La Liga, të cilat mund të jenë vendimtare në luftën kundër Real Madridit për titull.