Prej më shumë se dy vitesh u krijua Liga e Futbollit Profesionist, por prej kësaj periudhe asgjë nuk duket se po funksionon me të, ashtu siç do ti duhej, apo si vetë presidentët kishin pritur e kërkuar, të paktën në letër. Në një prononcim për Top Channel, presidenti Edvin Libohova, sqaron: “Pritëm miratimin e paketës ligjore”. Ndërkohë vetë ata që e kërkuan me ngulm krijimin e Ligës, tashmë po e bojkotojnë atë. “Pjesëmarrja është e vaktë, anëtarët nuk e kuptojnë ende rëndësinë e ligës”.

Në këto kushte edhe miratimi i sekretarit të përgjithshëm, të paktën në parim u bë me whatssapp pas mungesës së shumicës në mbledhjen e së mërkurës. “Klubet nuk sollën asnjë propozim kështu që i dërgova të 10-tëve propozimin e Dritan Kadijës që të prononcoheshin po apo jo dhe shumica janë pro”. Ndërkohë në lidhje me largimin apo jo të Libohovës në krye të Ligës, ai shprehet: “Vetë më propozuan, por nëse edhe njëri është kundër jam gati të konsideroj dorëheqjen”.