Nga Bashkim Demiraj
“Që t’i besosh Ilir Metës fatin drejtësinë, është njëlloj si t’i lesh në dorë djallit udhëheqjen e parajsës”. Këtë besoj se e di dhe e kupton qartazi i madh dhe i vogël, pasi personi në fjalë që i kanë veshur gabimisht kostumin presidencial, ka 30 vjet që ka dhënë çdo provë besimi, morali, integriteti, menaxhimi apo dashurie për shqiptarët që dashur pa padashur i përfaqëson brenda dhe jashtë vendit.
Dhe nuk i ka përfaqësuar në pak poste të larta, por nga roli i kryeministrit, te roli i ministrit të Jashtëm, te ai i zv.kryeministrit, te ai i kryetarit të Kuvendit, te posti i presidentit dhe së fundmi te lideri de fakto i opozitës. Se çka mbjellë, e se çka korrur, edhe këtë e dimë.
Në këtë pikë, një eksperiment më shumë me Metën, nuk është e vështirë ta parashikosh që do të ishte thjesht një tjetër dështim komik i shënuar veç në arkivat mediatike, ku ai do të përmbushë objektivën personale për t’i shpëtuar shkarkimit pas pak javësh, ndërsa shqiptarët do t’i rikthehen dhjetëra halleve të përditshme. Deri këtu nuk është se kemi ndonjë të re të veçantë, surprizë të papritshme apo befasi të jashtëzakonshme për të vendosur duart në kokë.
Por përtej komedisë dhe çmendurisë, ajo që vlen vërtet për t’u shqetësuar është fakti se si ky individ merr përsipër të montojë mina shkatërrimtare mbi besimin e shqiptarëve te rezultatet e reformës në drejtësi.
Nëse më përpara nuk e kemi marrë shumë seriozisht kur ai montonte dhe programonte kohën e kësaj altilerie për të dëmtuar drejtësinë e re, sot është momenti kur ai dashakeqësish po i plas ato njëra pas tjetrës duke prodhuar një lloj tymi politik të panevojshëm.
Por si po e bën këtë? Nëse i thërresim pak kujtesës, ai dhe levat mediatike që komanadon, kanë përbaltur çdo kënd që ka vendosur emrin në ndërtimin e reformës.
Së fundmi, radha e sulmit dhe përbaltjes duket se i ka ardhur ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj.
Kjo e fundit nuk ishte shumë surprizë dhe mbase ky sulm i mirëorganizuar djallëzisht ndaj saj me të gjithë infrastukturën mediatike, ishte shumë i vonuar.
Mbase sulmi fillestar duhet t’i jepej si paralajmërim qysh në ditën një, kur institucioni që ajo drejton, pas shumë vitesh kështjellë e LSI-së, ju besua asaj në dorëzim. E si mund t’ia falte Meta “gabimin fatal”, ku ajo mori guximin dhe zgjodhi të “luajë me zjarrin” duke ja larguar nga Ministria e Drejtësisë besnikët e partisë që vegjetonin aty me vite e vite të tëra?! Si nuk e mendoi ajo që ata nuk ishin thjesht të punësuar partie, por ishin mbështetje, vota dhe pushtet për një forcë politike që në mungesë të idealeve, punësimin e ka serumin e vetëm të mbijetesës?
Ky sulm i vonuar mbase duhet të vinte qysh në kohën kur kjo ministre, me naivitetin e një njeriu që nuk ishte marrë më parë me politikë, bëri një hap ekstrem duke i çuar në prokurori dosjet e shkeljeve që ishin bërë më herët nga drejtuesit e këtij institucioni të udhëhequr nga ministrat e Metës. As kjo nuk mund të falej dhe as të harrohej.
Ky sulm i vonuar mbase duhet të vinte qysh në kohën kur nisi ideja e 41 bis, izolimi i të fortëve në Burgje, apo të gjitha hapat implementuese për të çuar para reformën në drejtësi.
Ky sulm i vonuar mbase duhet të vinte që nga koha kur ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim zgjodhi që daljen e saj të parë publike ta kishte krah saj në një aktivitet për reformën dhe jo krah Metës që betohet se është “Prometeu” i drejtësisë së re.
Boll, me kaq Gjonaj e mbushi kupën. Sot kur Metës i duhet një “kurban” për betejën e tij qesharake ndaj institucioneve të drejtësisë, kishte ardhur koha që të kujtohej për atë sulm të vonuar ndaj Etildës që u gatua në fantazinë e tij për vite me radhë.
Madje, ky duf duket se ka gjurmë të hershme pasi në ndihmë i ka ardhur edhe gruaja e tij e cila shquhet për xhevahirët që nxjerr nga goja kur sheh që nuk i përfillin më burrin. Dhe aq më tepër një ministre guxon që t’i cënojë autoritetin bashkëshortit i cili prej tre dekadash edhe kur nuk ka beteja, shpik mullinj ere si Don Kishoti për të luftuar. Po në këtë linjë duke sulmuar njerëzit që kanë shkuar në krah të kundërt me vullnetin e tij, duke përdorur figurën e presidentit Meta po aktivizon minat e njëpasnjëshme ndaj tyre për të vrarë besimin e shqiptarëve te reforma në drejtësi.
Mbase në këtë pikë ku ka arritur, tre muskutjerët e medias moderne Cim Peka, Fahri Balliu dhe Ilir Kulla që e yshtin nga mëngjesi deri në mbrëmje në presidencë, duhet të reflektojnë dhe të jenë pak më të mëshirshëm për ta këshilluar drejt.
Fakti që ata po e lenë të rrëshkasë dhe nuk po i tregojnë se ka veshur kostumin e një personazhi qesharak që po shkul brinjët mileti, të sjell në kujtesë përrallën e famshme të Hans Kristian Andersen, “Rrobat e Mbretit”.
Ky i fundit tregon historinë e një mbreti, i cili doli para popullit lakuriq pasi dy rrobaqepës mashtrues i premtuan se do t’i qepin një palë rroba me pëlhurë magjike, por asnjë nga këshilltarët nuk kishte guximin t’i tregonte çmendurinë që po bënte.
Ndaj, në këtë rast, i takon Fahriut, Çimit dhe Ilirit t’i thonë presidentit që ose të mbledhë trutë e kokës, ose të lerë presidencën dhe të shkojë të drejtojë Estradën e Tiranës pasi aty mund të jetë më i dobishëm.