Mesfushori belg Kevin De Bruyne dhe qendërmbrojtësi francez Aymeric Laporte – të dy pjesë e skuadrës së Manchester Cityt – janë nën radarin e Liverpoolit. Mediumi spanjoll Don Balon raporton se Liverpooli është duke e shqyrtuar mundësinë e transferimit të dyshes së Manchester Cityt – Kevin De Bruyne dhe Aymeric Laporte, transmeton Gazeta Express. Përjashtimi i Manchester Cityt nga garat evropian dhe rrjedhimisht humbja e përfitimeve të Ligës së Kampionëve i ka nxitur spekulimet se klubi mund të detyrohet t’i shesë lojtarët kryesorë për të mos shkelur rregulla të tjera për ndershmëri financiare.

Megjithatë, Raheem Sterling dhe Pep Guardiola tashmë e kanë konfirmuar përkushtimin e tyre ndaj Manchester Cityt dhe klubi synon ta apelojë vendimin e UEFA-s. Për këtë arsye, drejtuesit e klubit besohet se s’do t’i lejojnë dy yje të skuadrës të largohen e veçanërisht jo te një rival i Premierligës. Manchester City u përgjigj ndaj vendimit të UEFA-s duke insistuar se ishin të zhgënjyer por jo të befasuar nga dënimi që iu dha dhe bënë të ditur se janë të përgatitur ta dërgojnë rastin në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).

Sipas burimeve të ESPN, Guardiola është shumë i qetë pasi që beson se dënimi do të zbutet nga CAS-i, por shqetësohet se lojtarët do të duan të largohen për shkak të mospjesëmarrjes në garat evropiane. Spanjolli është i bindur se shkeljet që Manchester City i bëri kishin ndodhur para se të vinte ai në Etihad, ndërsa klubi do të mbajë takim urgjent së shpejti për të vendosur për të ardhmet e personave që janë përmendur për shkeljet e rregullave të ndershmërisë financiare (FFP) të UEFA-s.