Pas 18 fitoreve me radhë në Premierligë, dhe 27 ndeshjeve pa humbje – Liverpooli më në fund është mposhtur. Është Watfordi skuadra që ndali hovin e ekipit të Jurgen Klopp, duke ia shkaktuar humbjen e parë këtë edicion në Premierligë dhe duke ia prishur planet ‘Redsave’, që synonin titullin e kampionit pa humbje – ashtu si Arsenali, skuadra e vetme që ia ka dalë pas 38 xhirove të mos mposhtet në Premierligë. Rekordi tjetër që Klopp me Liverpoolin dështuan të thyejnë sonte, është ai i Man City, prej 18 ndeshjeve me radhë pa humbje në Premierligë.
‘Redsat’ e barazuan këtë rekord xhiron e kaluar, por dështuan të vendosin rekord të ri sonte, duke pësuar një humbje të papritur. Sarr në minutat 54’ dhe 60’ si dhe kapiteni Deeney, në minutën e 73’, shënuan për ta mposhtur 3-0 Liverpoolin dhe për t’ia shkaktuar ekipit të Klopp humbjen e parë në sezonin 2019/20, Gazeta Express. Sido që të jetë, kjo humbje s’do të ndalë Liverpoolin drejt titullit të kampionit në Angli, pasi aktualisht vazhdon të ketë 22 pikë më shumë se Man City, kjo e fundit ka ndeshjen më pak të zhvilluar kur kanë mbetur edhe 10 xhiro deri në fund të edicionit.