Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduart Shalsi në një intervistë ekskluzive për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH) e cilësoi Kongresin e PS-së, jo vetë një moment të rëndësishëm në jetën e Partisë Socialiste, por edhe të jetës politike në Shqipëri. “Kongreset janë një moment reflektimi, të kthejmë kokën pas për të kuptuar se çfarë kemi bërë dhe për ta bërë më mirë, për të shprehur krenarisht sukseset e arritura dhe mbi të gjitha për të folur për të ardhmen. Ajo që e ka dalluar PS-në dukshëm nga forcat e tjera politike, ka qenë gjithmonë, aftësia për t’u vetëripërtërirë, për t’u vetëkorrigjuar dhe reflektuar, për një të ardhme gjithnjë e më të mirë për shqiptarët”- tha Shalsi. Duke u ndalur në punimet e Kongresit, Shalsi theksoi se, “deri tani kemi dëgjuar përmes fakteve, atë se çfarë realisht kemi bërë, në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe sesi një protestë e studentëve solli reagimin e menjëhershëm të qeverisë, që i’u përgjigj dhe reagoi duke sjellë rezultate konkrete për ta, brenda një viti”.

“Me këtë rast, vijoi ai, dua të them se, nëse kundërshtimi ka rrënjë, atëherë edhe reagimi i PS-së ka qenë i tillë që ka përmirësuar shumë procese. Po ashtu kemi se çfarë t’u tregojmë shqiptarëve edhe në sektorin e infrastrukturës, energjisë dhe jo vetëm”. Shalsi vuri theksin në intervistën për ATSH-në, se Programi i Rindërtimit pas tërmetit të 26 nëntorit është prioritet mbi prioritetet e qeverisë shqiptare. “Ajo që u duk si krizë po dëshmohet që po shndërrohet në një mundësi më të mirë zhvillimi për të ardhmen. Nëse në fillim ishte prioritet të shpëtohej çdo jetë, që ndodhej nën rrënojat e tërmetit, duke i lënë vend më pas akomodimit të të gjithë personave që mbetën të pa strehë, nga ajo periudhë deri më sot kemi një ministër të veçantë dhe një grup ndërministror, që po punon për fazën e rindërtimit të plotë”, – tha Shalsi.

Besimi i Shqipërisë tek partnerët ndërkombëtar falë edhe rolit të jashtëzakonshëm të Kryeministri të Shqipërisë Edi Rama, ka ardhur duke u rritur dhe Konferenca e Donatorëve ishte dëshmi e besimit të tyre ndaj Shqipërisë. Ai shprehu bindjen për një qasje të re për hapjen e negociatave, që sipas tij , pritet të kurorëzohet në pranverën e këtij viti. Ai vlerësoi Reformën në Drejtësi si një kapitull të ri që po tërheq interesin e investitorëve të huaj për të ardhur në Shqipëri. Ndërsa theksoi se, Reforma në Drejtësi, progresi dhe zhvillimi, është ajo që duan të shohin shqiptarët.