Përshëndetje, ju përgëzoj për këtë profesion të bukur që keni zgjedhur. Kam vajzën tre vjeç e gjysmë që nuk thotë shumë fjalë dhe as fjali. I kam bërë një vlerësim me mjekë neuropediatre dhe më ka thënë që ka vonesë gjuhësore. Çfarë është vonesa gjuhësore? Ku mund të kaloj për trajtim? Si mund ta ndihmojmë ne? Dhe a jemi vonë për terapi?
Berjana Molla, Logopede, QSUT, përgjigjet : Përshëndetje, ju falënderoj që më keni shkruar. Vonesa e të folurit është një ngadalësim në zhvillimin e mëtejshëm të fazave të zhvillimit të të folurit, një çrregullim që bën pjesë në një patologji me strukturë të thjeshtë dhe ku parashikohet gjithnjë një zgjidhje pozitive e problemit pas ndërhyrjes terapeutike. Kjo ndodh sepse vonesat normale të të folurit nuk kanë shkaqe organike, por janë mangësi të tipit afektive-ambjentale. Fëmija që ka një vonesë normale, sillet normal në të gjitha aktivitetet, është një subjekt inteligjent me një nivel të mirë të të kuptuarit, por që flet më me vonesë se të tjerët. Në moshën 2-3 vjeç këta fëmijë dinë të shqiptojnë një numër ta caktuar fjalësh, nuk strukturojnë dot fjali, përdorin gjeste për të komunikuar dhe zakonisht kuptohen vetëm nga kujdestari ose mamaja. Haset shpesh te fëmijët që shkojnë në çerdhe që në muajt e parë të jetës.
Shkaqet:
1-Mungesa e stimulit nga nëna ose qëndrimi në një linjë i raportit nënë-fëmijë. 2-Qëndrimi i hershëm i fëmijës në çerdhe. 3- Lindja e një motre ose vëllai. 4- Papjekuria e fëmijës. 5- Sëmundjet e ndryshme që prekin fëmijët dhe hospitalizimi për një kohë të gjatë Ju këshilloj terapi me logoped sa më herët të jete e mundur, besoj mund t’ju ketë thënë dhe neuropediatria. Gjithashtu pas seancave të para të rehabilitimit logopedia do ju këshillojë më mirë rreth ushtrimeve dhe programeve që duhet të ndiqni në shtëpi.
Ushtrimet bazohen në stimulimin e përgjithshëm. Mund të vini në Tiranë për terapi sepse mua më gjeni në spitalin Francez, QSUT, nëse jeni nga rrethet ju rekomandoj të kërkoni aty për një logoped. Ju falënderoj që më ndiqni dhe uroj trajtim efikas për fëmijën tuaj./dritare.net