Nga Artur Ajazi
Kryetari demokratëve, ka zgjedhur një formë të veçantë për të treguar se, e ka seriozisht aksionin e ri opozitarist, ku krahas betejës me “qeverinë” ka menduar të paraqesë diçka ndryshe në qasjen e tij me shqiptarët. Ai fare “rastësisht” në turin e tij, arrin të gjejë një ditë një “tregëtar të ndershëm” që paguan taksat dhe nuk i dalin paratë për bukën e gojës, një ditë një “hallexhi” që troket çdo ditë në zyrat e shtetit dhe nuk gjen zgjidhje, dhe së fundi ka gjetur fare rastësisht një “gjyshe pensioniste”, që nuk ka para për të blerë zarzavatet në treg. Madje kryetari Basha , e shoqëron “pensionisten e rastësishme” në tregun e fruta-perimeve dhe konstaton se asaj me pensionin që merr “nuk i dalin paratë për të jetuar”. Gjithsesi duhet thënë se “rastësia” jo gjithmonë është mbreti i fatit, sepse gjyshja pensioniste ka rezultuar në arkiva mediatike, se ishte një militante e thekur e Partisë Demokratike. Kjo mjafton për të menduar se, Lulzimin ose e kanë udhëzuar gabimisht, ose ka zgjedhur “rastësinë” për tu treguar paksa europianist, në udhën e tij si politikan.
Duke mos patur mundësi të zgjedhë, mes reales dhe gënjeshtrës, dhe duke mos patur mundësi të konkretizojë atë ç’ka mendon, kryetari Basha shpesh ka gabuar në zgjedhjen e rrugës së duhur për të bërë opozitën. Dalja kundër çdo nisme ligjore, (siç ishte edhe ajo e kryeministrit Rama për KÇK ) apo reforme në drejtësi, kundërshtimi i çdo projektligji që lidhet me luftën ndaj krimit dhe korrupsionit, distancimi i ish-opozitës së vjetër edhe nga programi i rindërtimit kombëtar, e kanë damkosur Partinë Demokratike si forcë regresive politike. Të luftosh qeverinë me argumenta, nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi, por të nisësh betejën kundër saj me gjyshet pensioniste dhe militantë të maskuar si “njerëz të thjeshtë hallexhinj”, kjo duket më tepër si tallje dhe humje kohe. Në gjithë këto vjet, kryetari Basha ka provuar të sjellë në vëmëndjen e opinionit “fakte dhe akuza” të shumëllojshme që sipas tij “provojnë se kjo qeveri është e kapur”.
Sinqerisht do ti isha bashkuar kryetarit Basha, në qoftëse e vërtetonte se e ka seriozisht misionin e tij opozitarist, se e ka seriozisht betejën e “akuzave dhe denoncimeve” aq më tepër i ka ato reale. Por përgjatë gjithë këtyre viteve, “faktet dhe akuzat” e Partisë Demokratike, kanë rezultuar boshe dhe të sajuara. Aq më tepër që në proceset gjyqsore, sekretarët e saj nuk kanë arritur ti provojnë ato. E vetmja gjë, dhe i vetmi merak që ka sot ish-opozita e vjetër, janë pasuria dhe bizneset e saj. Mjafton ato të jenë të paprekshme, mjafton ato të mos kenë probleme me qeverinë, pasi qëndrimi në opozitë edhe për 20 vjet nuk ka rëndësi. Falciteti në fushatë apo edhe në “rastësitë” e përditshme të kryetarit Basha, tregojnë se ai, ose nuk ka këshilltarë seriozë dhe të aftë profesionalisht, ose ka vendosur të veprojë me kokën e tij, si Doktori dikur. Kjo opozitë realisht e ka mbyllur misionin e saj, ndaj Lulzim Basha jo një gjyshe, por të gjitha gjyshet e Tiranës ti mbledhë për ditë pazari, nuk i bën të besueshme shpikjet e tij.