Shqipëria dhe Italia kanë nënshkruar një protokoll bashkëpunimi për forcimin e ndërveprimit në fushën e shërbimit shëndetësor duke përfshirë edhe trajtimin falas 10 të rasteve të vështira të pacientëve shqiptarë në spitalin universitar të Barit. “Jam shumë e kënaqur që konkretizojmë një bashkëpunim të gjatë mes dy spitaleve universitare, Poliklinikës së Barit dhe Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Përpos të gjithë projekteve që konkretizohen dhe formalizohen në këtë marrëveshje bashkëpunimi, do të jenë gjithashtu 10 raste pacientë shqiptarë, të cilët konsiderohen raste të vështira dhe që kërkojnë një mbështetje më të specializuar, që do të trajtohen në Itali” tha Manastirliu pas nënshkrimit të marrëveshjes, njofton zyra e shtypit të ministrisë.
Duke theksuar se kjo marrëveshje do të shërbejë për të rritur eksperiencën e ekipeve tona, Manastirliu vijon më tej zyra e shtypit, tha se shkëmbimi i përvojave mes ekspertëve është shumë i rëndësishëm për të zhvilluar mjekësinë e dy vendeve tona. Ndërsa drejtori i Poliklinikës së Barit, Giovani Migliore u shpreh se konkretizohet sot një bashkëpunim i gjatë mes dy vendeve tona. “Doja të falenderoja Republikën e Shqipërisë dhe ministren Manastirliu për mundësinë e madhe që i ofroi Rajonit të Puglias. Raportet tona janë intensive, të hershme, miqësore, bashkëpunuese dhe profesionale. Kjo marrëveshje merr jetë pas shumë bashkëpunimesh të kryera ndër vite dhe që kanë sjellë një rritje reciproke të dy komuniteteve”, u shpreh Migliore.
Marrëveshja mes Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” dhe Konsorciumi “POLICLINICO” në Spitalin Universitar të Barit parashikon që palët krijojnë Komitetin e Bashkëpunimit Shëndetësor Ndërkombëtar. Komiteti, sipas ministrisë së Shëndetësisë drejton dhe mbikëqyr të gjitha operacionet në lidhje me këtë protokoll, duke raportuar në mënyrë periodike palëve. “Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Qendra Kombëtare e Urgjencës Mjekësore dhe Poliklinika e Barit do të jenë së bashku në këtë bashkëpunim për të realizuar një pilotim të rrjetit të telekardiologjisë në Shqipëri, por gjithashtu dhe për të zhvilluar shëndetësinë elektronike dhe atë digjitale” mbyllet njoftimi.