Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo mund të përfundojnë duke luajtur së bashku në klubin e David Beckham, Inter Miami, që do të nisë të luajë në MLS sezonin e ri. Kështu pretendon menaxheri i Minnesota United, Adrian Heath. Emra të ndryshëm të mëdhenj thuhet se figurojnë dukshëm në radarin rekrutues të klubit të ri nga Florida. Asnjë nënshkrim i madh nuk është konfirmuar deri tani nga ish-kapiteni i Anglisë, por disa yje të kampionateve europiane admirohen në Amerikë.
Legjenda e Manchester United dhe Real Madridit, Beckham, mezi pret ta dëshmojë veten edhe si sipërmarrës në SHBA, në rolin e presidentit të një klubi futbolli atje. Messi dhe Ronaldo janë lidhur me lëvizje drejt MLS në mbyllje të karrierës së tyre. Heath i shikon dy yjet globalë në Miami, në një ekip, pasi kanë kaluar më shumë se një dekadë duke garuar ethshëm me njëri-tjetrin. “Kjo do të ishte e jashtëzakonshme për futbollin në SHBA. Nëse dikush ka profilin global për ta realizuar këtë ëndërr, ai është David Beckham, – tha Heath për “The Mirror”.
– Mund të mos ndodhë së shpejti, por unë mund ta shoh Ronaldon duke ndjekur hapat e Zlatan Ibrahimovic, Wayne Rooney, Steven Gerrard dhe Frank Lampard në MLS. Për Ronaldon dhe Messin, dy destinacionet e dukshme, nëse do të shkonin në MLS, shikoj Los Angeles dhe Miami. Duke pasur parasysh lidhjet e tij me të dy lojtarët dhe planin që Beckham dhe mbështetësit e tij kanë tek Inter Miami, unë vërtet mund t’i shoh ata të dy në këtë ekip të MLS”.