Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka bërë të ditur se në institucionin që ai drejton, kanë mbërritur mbi 900 ankesa për gjyqtarët dhe prokurorët dhe se për të përballuar këtë fluks është ngritur një strukturë provizore. Sipas Metanit, janë hapur vendet 26 vakante dhe u bëri thirrje të gjithë magjistratëve të aplikojnë, duke i siguruar se çdo aplikim do të shqyrtohet me seriozitet. Nga ana tjetër, bëri me dije se është gati edhe faqja zyrtare online e ILD-së. Metani përmes një deklarate për mediet, të zhvilluar sot, paraqiti misionin e këtij institucioni të ri kushtetues dhe bëri transparencë mbi veprimet e para të marra pas nisjes së detyrës në krye të ILD-së. Ai tha se ky institucion është totalisht i pavarur nga pushteti ekzekutiv, KLP dhe KLGJ dhe kjo i jep një dimension tjetër profilit të inspektimit.

“ILD ka për objekt të veprimtarisë së tij verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Prokurorit të Përgjithshëm”,- tha Metani “Nuk ka pasur nga e kaluara as personel, asgjë, ndaj ky institucion po fillon të ngrihet nga e para. Inspektori i Lartë i Drejtësisë është i ndërgjegjshëm për volumin dhe problematikën e lartë të punës, po aq sa edhe pritshmëritë për të këtë institucion. Dua të siguroj opinionin publik se ILD ka gjithë vullnetin të përballet me të gjitha shkeljet që diskreditojnë rëndë figurën e gjyqtarit dhe prokurorit që cenojnë dhënien e drejtësisë dhe ushtrimin e funksionit në përputhje me ligjin”,- garantoi ai.

“Konkretisht ILD-së do i kalojë një volum i madh ankesash, rreth 900, të cilat janë dorëzuar gjatë periudhës tranzitore, 2017-2020 pranë KLGJ ose Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu ILD nga data 1 shkurt 2020, datë e cila konsiderohet fillimi i veprimtarisë së këtij institucioni, kanë filluar të vijnë ankesat e para nga persona juridikë apo fizikë. Evidentimi i këtyre ankesave kërkon një analizë të plotë, me qëllim shqyrtimin paraprak për sa i përket kritereve të pranueshmërisë si dhe kryerjen e veprimeve shtesë nëse është e nevojshme apo fillimin disiplinor”,- deklaroi kreu i ILD. Metani foli për një plan masash afatshkurtër për problematikat e konstatuara në raport me përmbushjen e detyrave profesionale të zyrës së ILD. Metani tha më tej se është marrë me procedurat për ngritjen e institucionit dhe të një strukture provizore dhe iu bëri thirrje juristëve magjistratë ose jo të aplikojnë për vendet vakante.

“26 vende vakante, 6 inspektorë jo magjistratë dhe 5 ndihmës inspektorë. I bëj thirrje gjithë juristëve që kanë dëshirë të kontribuojnë për institucionet e reja të drejtësisë të aplikojnë. Do vlerësohen me objektivitetin maksimal”,- deklaroi ai. Metani tha se, ILD-ja do të gjykojë edhe ankesat e bëra nga gjyqtarët dhe prokurorët që nuk janë dakord me vendimin e Vetingut. “Do jenë pjesë e hetimit edhe ankesat e gjyqtarëve dhe prokurore që kanë dalë nga Vetingu. Do merren në shqyrtim dhe këto vendime”,- tha kreu i ILD-së, Artur Metani, gjatë deklaratës së tij.