Nuk jep asnjë të dhënë për Handanovic, do të luajë apo jo nesër, në derbin e Madoninës. “Për këto çështje mund të bisedoni vetëm me mjekun”, – thotë Antonio Conte, i cili ka paralajmëruar të tijtë nga konferenca e sotme për shtyp. Duke vlerësuar kundërshtarin kuqezi, trajneri nga Salento nënvizoi: “Milani vlen shumë më tepër sesa pikët që ka aktualisht në renditje. Kuqezinjtë kanë një ekip të shkëlqyeshëm, shtoju një kampion si Ibrahimovic, që ka sjellë përvojë, vetëdije, besim. Sidoqoftë, ne do të duhet të përqendrohemi dhe të synojmë tri pikët, që kjo lojë mund të na japë”.

Nuk ka favoritë në derbi, sipas tij, pavarësisht situatës momentale të skuadrave: “Derbi fsheh kurthe, vështirësitë rriten, sepse ekziston një dëshirë për të shkëlqyer në përballjen ndërqytetase. Megjithatë, duhet të mendojmë për rrugën tonë. Kemi një cikël ndeshjesh të rëndësishme përpara nesh. Individualitetet? Është skuadra, ajo që mund ta fitojë derbin, askush nuk e bën dot i vetëm këtë. Pastaj, detyra jonë është edhe përmirësimi i karakteristikave individuale Gjithsesi, ne kurrë nuk mbështetemi te lojtari individual”.

Asnjë “përjashtim” nuk mund të bëhet në këtë filozofi të trajnerit zikaltër, edhe nëse flitet për Eriksen: “Jemi të lumtur që ai është këtu. Ka karakteristika të caktuara, por është shumë e rëndësishme t’i marrim më të mirën në fazën mbrojtëse dhe sulmuese. Ai vjen në një botë të re, në Itali ka më shumë taktikë. Pra, duhet t’i japim kohën e duhur për t’u përshtatur”. Në mbyllje, fjalë të mëdha për Ibrahimovic: “Është e drejtë që në sfida të tilla të rëndësishme të luajnë më të mirët. Shfaqja përfiton nga kjo. Ne po flasim për një kampion, që sjell përvojë, cilësi dhe karizëm në derbin e Milanos. Do të jetë një emocion i fortë edhe për të”.