“Metodologjia e re e për zgjerimin e Bashkimit Europian do të bëjë procesin e anëtarësimit më të parashikueshëm dhe më dinamik”.
Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, ambasadori, Luigi Soreca tha sot në një konferencë për shtyp se, “Samiti i Këshillit Europian në tetor fatkeqësisht nuk solli çeljen e negociatave siç kemi shpresuar të gjithë. Kjo është arsyeja pse KE është përpjekur të kuptojë se pse ka ndodhur kjo, të gjejë shkaqet dhe të shohë sesi procesi mund të jetë më i parashikueshëm”.
“Ne duam që ta përforcojmë këtë lloj procesi që të rikrijojmë këtë besim të fortë mes shteteve që duan të anëtarësohen, vendeve anëtare dhe BE. Me anë të metodologjisë së re udhëheqësit e BE do të kenë të paktën një debat në vit për ecurinë që do të kenë bërë vendet e Ballkanit Perëndimor. Ky është një hap i rëndësishëm”, u shpreh Soreca.
“Një element tjetër i rëndësishëm është që BE do të përfshijë më shumë shtetet anëtare në lidhje me monitorimin e ecurisë dhe përsa i përket përpilimit të rekomandimeve. Kjo do të thotë që ekspertët e shteteve anëtare do jenë pjesë e ekipeve që do të vijnë të bëjnë vlerësime së bashku me ekspertet e BE. Kjo është e rëndësishme, pasi shtetet anëtare do të kenë mundësi të kenë pronësi mbi ato rezultate që do të nxirren edhe nga vetë zyrtarët e tyre”, tha ai.
“Procesi do të jetë më i parashikueshëm. Kjo do të thotë që ne duhet të sqarojmë qartë kushtet që të gjithë ta kuptojnë se çfarë kërkohet prej tyre dhe të mos ketë paqartësi në mënyrën si gjykohet një shtet kandidat. Është e rëndësishme që prej fillimit shtetet anëtare të jenë të përfshira në punën monitoruese”, nënvizoi Soreca.
“Procesi do të jetë edhe më dinamik. Kjo do të ndodhë duke krijuar grupime kapitujsh të ndryshëm. Ne kemi propozuar që të jenë 6 fusha kryesore me më shumë se 35 kapituj. Pra ideja është që këto kapituj të vihen në grupe pasi janë më pranë njëri-tjetrit dhe do të jetë puna më dinamike. Natyrisht që edhe për negociatat puna do të jetë më gjithëpërfshirëse dhe jo e ndarë në 9 fusha që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën”, theksoi Soreca.
“Po ashtu shtetet anëtare do të kenë mundësi të kthejnë pas procesin e negocimit. Kjo në rast se do të ketë hapa pas apo nëse nuk ka përpjekje për ecjen përpara. KE do të mund të ndalojë apo pezullojë negociatat nëse do të jetë e nevojshme. Kemi besim që kjo metodologji e re i përmbush të gjitha kërkesat e atyre shteteve anëtare, në veçanti të atyre që ishin hezituese në tetor për çeljen e negociatave. Në këtë mënyrë besoj që ne do të jemi do jemi duke ecur në rrugën e duhur në lidhje me çeljen e negociatave”, tha Soreca. Ambasadori Soreca tha gjithashtu se do të ketë dy ditë konsultime publike në lidhje me progresraportin e ri që do të publikojë KE për ecurinë e Shqipërisë.
“Çdo vit KE publikon një dokument strategjik ku vlerësohen rezultatet dhe ecuria e Shqipërisë. Kjo do të ndodhë në pranverë sivjet Tani po nisim fazën përgatitore që për këtë dokument ka qenë mjaft e rëndësishme ashtu siç do të jetë dhe në të ardhmen. Sipas metodologjisë së KE i mbledh informacionet nga OJQ, agjencitë e BE, institucionet dhe informacionet mblidhen, vlerësohen dhe dërgohen në Bruksel. Shoqëria civile ka rol kyç duke i dhënë zë qytetarëve shqiptarë. Prandaj shoqëria civile është partner thelbësor për KE. Shoqëria civile dhe palë të tjera do të jenë këtu gjatë dy ditëve”, tha Soreca.