“Njoftimi i paraqitur ditën e sotme prej Komisionit të Bashkimit Europian rreth procedurës së anëtarësimit është një konfirmim i qartë i perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE”, deklaroi sot Ministri i Shtetit për Europën pranë Ministrisë së Jashtme Federale, Michael Roth. Me rastin e publikimit gjatë ditës së sotme të propozimit të Komisionit Evropian mbi zhvillimin e mëtejshëm të anëtarësimit në BE, Roth u shpreh se, “me propozimin për përmirësimin e procesit të anëtarësimit Komisioni ia ka dalë të kryejë një akt balancimi”.
Sipas Roth, “aty merren në konsideratë çështje me rëndësi për shtetet anëtare, por edhe për vendet kandidate”. “Tanimë mbetet që përpara Samitit të Zagrebit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Europian, brenda këtij të fundit të gjendet dakordësia rreth çeljes së bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut”, thekson Roth, i cili shton se, “të dyja vendet kanë arritur shumëçka në rrugën e tyre drejt BE-së dhe duhet t’u jepet drita e gjelbër. Këtë e kanë merituar fort me punën e tyre të dyja vendet”.
“Diskutimi rreth përmirësimit të procedurës së anëtarësimit nuk duhet të çojë në vonesa të mëtejshme në nisjen e bisedimeve të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Të dyja vendet duhet të çojnë përpara deri në fund dhe të fokusuar programin e reformave për shtetin ligjor, luftën kundër korrupsionit, pajtimin në rajon dhe mbrojtjen e pakicave“, ka përfunduar Roth.