Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, së bashku me Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, morën pjesë në Mbledhjen e Konstituencës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), në Athinë , Greqi.  Dy institucionet financiare ndërkombëtare, FMN dhe BB paraqitën në këtë takim prioritetet strategjike dhe tendencat ekonomike për gjashtë vendet e kësaj konstituence. Gjithashtu gjatë këtij takimi u diskutuan zhvillimet e ekonomisë globale dhe ato të ekonomive rajonale, kryesisht të përqendruara në normat e ulëta të interesave dhe nivelit të borxhit publik. Diskutimet e mëtejshme në takim u përqendruan në ekonominë digjitale dhe avancimin e praktikave që sjellin zhvillim të sektorëve të lidhura me të.

Ministrja gjatë takimeve prezantoi situatën ekonomike të Shqipërisë dhe perspektivën e Qeverisë në nivel kombëtar dhe rajonal.Ministrja theksoi, se ruajtja e parametrave makroekonomikë dhe ecuria e konsolidimit fiskal mbeten prioritare në rolin e Ministres së Financave. Znj. Denaj vlerësoi pozitivisht ecurinë e parametrave makro-fiskalë, si reduktimin e borxhit, ruajtjen e balancës primare pozitive dhe zbatimin e suksesshëm të reformës së menaxhimit të financave publike, si parakushte të qendrueshmërisë së një ekomomie në zgjerim të vazhdueshëm. Ajo falenderoi partnerët për mbështetjen në zhvillimin e qendrueshëm të vendit dhe kapërcimin e sfidës së Rindërtimit.  Ministrja Denaj dhe Guvernatori Sejko zhvilluan takime me Z. Patrizio Pagano, Drejtor Ekzekutiv i Bankës Botërore dhe z. Domenico Fanizza, Drejtor Ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar, ku diskutuan zhvillimet më të fundit ekonomike në Shqipëri dhe rajon, si dhe reformat e ndërmarra për të përballuar sfidat që po kalon ekonomia globale.

Ministrja Denaj ka takuar gjatë ditës gjithashtu Ministrin e Financave dhe Guvernatorin e Bankës së Greqisë, të cilët janë organizatorët e kësaj mbledhjeje vjetore.  ***Shqipëria është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej vitit 1991 dhe bën pjesë në të njëjtën konstituencë me Greqinë, Italinë, Maltën, Portugalinë, Timorin Lindor dhe San Marinon. Në takimet e konstituencës marrin pjesë cdo vit Ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të vendeve anëtare të këtij grupi.