Në Fletoren Zyrtare është botuar vendimi i qeverisë që kalon Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit nga Ministria e Turizmit në varësi të Ministrisë së Brendshme, së bashku me punonjësit dhe fondin. Kështu 220 punonjësit e IKMT-së që ishin në varësi të ministrisë së drejtuar nga Blendi Klosi tashmë kalojnë në varësi të Sandër Lleshajt, së bashku me fondin prej 93 milionë lekë.

Vendimi i plotë, Për rishpërndarjen e numrit të punonjësve organikë dhe të fondeve buxhetore në njësitë e qeverisjes qendrore, për vitin 2020.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 12 e 17, të ligjit nr. 88/2019, “Për buxhetin e vitit 2020”, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

VENDOSI: 1. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2020, reduktohet me 220 (dyqind e njëzet) punonjës, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 879 (tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) punonjës.

2. Numri i punonjësve të sistemit të Ministrisë së Brendshme, për vitin 2020, shtohet me 220 (dyqind e njëzet) punonjës për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të sistemit të ministrisë në 14 484 (katërmbëdhjetë mijë e katërqind e tetëdhjetë e katër) punonjës.

3. Në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit, për vitin 2020, në programin buxhetor “Programe për mbrojtjen e mjedisit” reduktohet fondi prej 49 300 000 (dyzet e nëntë milionë e treqind mijë) lekësh, në zërin “shpenzime korrente”, dhe në programin buxhetor “Administrimi i pyjeve” reduktohet fondi prej 43 700 000 (dyzet e tre milionë e shtatëqind mijë) lekësh në zërin “shpenzime korrente”.

4. Në programin “Planifikimi, menaxhimi dhe administrimi”, për Ministrinë e Brendshme, shtohet fondi prej 93 000 000 (nëntëdhjetë e tre milionë) lekësh në zërin “shpenzime korrente”, për vitin 2020, për Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit.

5. Numri i përgjithshëm i punonjësve organikë buxhetorë nuk ndryshon. 6. Ngarkohen Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.