Janë tashmë 24 zona të reja që do të zhvillohen në bashkitë e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, me banesa kolektive dhe individuale, infrastrukturë publike, kopshte e shkolla për fëmijët dhe hapësira të gjelbra e rekreative, në kuadër të procesit të Rindërtimit. Ministri i Shtetit për Rindërtim, Arben Ahmetaj bëri të ditur se në fund të muajit shkurt do të jenë gati tre masterplane për nisjen e punimeve në terren.

“Një proces intensiv në vetëm dy muaj për identifikimin dhe përgatitjen e këtyre zonave, përfundimin e modeleve të banesave dhe nisjen e procesit të shpronësimeve, paralelisht me vazhdimin e vlerësimit të thelluar të banesave që është në përfundim e sipër, ndërsa në fund të shkurtit do të jenë gati tre masterplane për nisjen e punimeve në terren”, theksoi Ahmetaj.