“Misioni i paketës anti KÇK do të përfundojë deri në momentin kur sistemi i ri i drejtësisë do të funksionojë 100%”, tha sot, Alfred Peza, Sekretari për mediet i Partisë Socialiste . I ftuar në një intervistë televizive, Peza u shpreh se nisma anti KÇK është një masë e jashtëzakonshme e përkohshme, që do të godasë çdo ditë ata që quhen të “paprekshëm”. Në lidhje me skepticizmin dhe paragjykimet e opozitës, Peza tha se “sistemi politik në demokracitë liberale dhe të gjithë botën e qytetëruar gjithmonë është i tillë që opozitat do të jenë përballë mazhorancave. Nëse nuk do të ishte kështu do të ishim të shqetësuar. Nëse opozita bën rolin e saj atëherë jemi në rrugën e duhur.

“Është në të drejtën e vetë opozita, ashtu siç është në të drejtën e vet çdo qytetar shqiptarë që të ketë ose skepticizmin e tij ose optimizmin e tij. Ose të presë me durim për të parë rezultatet e para të operacioneve të asaj që ne e quajmë anti-KÇK”, theksoi Peza. Sipas tij, “nuk duhet të ngatërrojmë disa gjëra. Nuk duhet të ngatërrojmë një aspekt që ka të bëjë me të gjithë përpjekjet e mazhorancës për ngritjen e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë. Nuk duhet të ngatërrojmë anti-KÇK që është i fokusuar mbi të gjitha mbi krimin e organizuar mbi asetet e tyre kriminale, mbi financat e tyre kriminale, mbi ato të ardhura dhe ekonomi kriminale që vijnë nga trafiku i drogës, nga prostitucioni. Nga e gjithë ajo industri e zezë, e cila është e tillë që shpesh herë na ka bërë që të ndjehemi jo mirë edhe nga kronikat qoftë të medieve shqiptare apo ndërkombëtare”.

Peza tha se, “çdokush ka të drejtë të jetë specifik për aq kohë sa kjo nuk është provuar në praktikë. Pra është tjetër gjë të paragjykosh dhe është tjetër gjë të jesh skeptik. Opozita jonë e bën opozitarizmin e saj me paragjykim. Të gjithë kanë të drejtën të jenë skeptikë, por ne duhet të presim me durim rezultatet e premtuara”.
“Kjo masë e jashtëzakonshme do të zgjasë gjatë këtij viti dhe është e orientuar drejt grupeve të strukturuara kriminale dhe familjet mafioze. Kjo është një masë që nuk aplikohet për herë të parë në Shqipëri. Këtë masë e kanë marrë edhe Italia apo Britania në luftë me krimin e organizuar apo terrorizmin. Edhe Shqipëria nën shembullin e tyre, dhe me bashkëpunimin e plotë të SHBA dhe BE që asistojnë edhe reformën në drejtësi e ka ndërmarrë”, tha Peza.

Peza u shpreh se, “jemi në mesin e një kalendari të ngritjes së institucioneve të reja të sistemit të ri të drejtësisë në raport me shembjen, çmontimin, shkatërrimin dhe nxjerrjen jashtë sistemit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nëpërmjet procesit të vettingut. Ky kalim nga një sistem i vjetër, drejt konsolidimit dhe bërjes efiçent të sistemit të ri ka krijuar një boshllëk që tenton ta zërë antishteti. Dhe pikërisht shteti, qeveria, mazhoranca kanë për detyrë që të krijojnë antikorpet e duhura, ligjore, juridike dhe kushtetuese që të mos e lërë antishtetin të forcohet akoma më shumë”.

“Vetëm një vit e pak muaj që kur mazhoranca socialiste erdhi në pushtet filloi dhe u miratua reforma më e thellë strukturore e shtet formimit modern në të gjithë historinë e shtetit shqiptar që është reforma në drejtësi dhe nga ajo periudhë deri më sot ka kaluar një proces shumë i detajuar, i fortë dhe i strukturuar për të shembur kolonën më të kalbur dhe të kritikuar nga qytetarët shqiptarë që ishte kolona e sistemit të drejtësisë dhe ka filluar puna bashkë me partnerët ndërkombëtarë për të ngritur një sistem të ri”, theksoi Peza.

“Duke qenë se kjo është një gjë që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e shtetit shqiptar, pra po ndodh diçka e jashtëzakonshme dhe kur ndodh diçka e jashtëzakonshme nuk mund të operosh me mjete të zakonshme, por me mjete të jashtëzakonshme. Dhe për herë të parë është çmontuar një sistem i tërë dhe po montohet nga e para një sistem i ri”, u shpreh Peza.

“Dhe pikërisht në këtë periudhë të jashtëzakonshme ndodh krijohet një vakum dhe e kemi parë në përditshmëri. Kemi parë gjyqtarë dhe prokurorë që po lirojnë të burgosur me burgim të përjetshëm. Kemi pra prokurorë me drejtues apo anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale. Pikërisht për të parandaluar, për t’’u përballur dhe për ta çmontuar këtë realitet dhe për ta mbushur këtë vakum që po kërkon nëpërmjet KÇK-së të sistemit të vjetër të drejtësisë, shteti, qeveria krijoi këtë paketë. Dhe në momentin kur sistemi i ri i drejtësisë do të funksionojë 100%, atëherë përfundon misioni i anti-KÇK. Është masë e jashtëzakonshme e përkohshme”, tha Peza.

Peza shtoi se, “puna parapërgatitore për ngritjen e OFL ka nisur prej kohësh prej disa muajsh në bashkëpunim dhe me ekspertët më të mirë të aleatëve strategjikë SHBA dhe BE. Kjo punë ka nisur me krijimin e një databaze me të gjitha të dhënat për veprimtarinë e grupeve të strukturuara kriminale me të gjithë hartën e kriminalitetit dhe me të gjithë arkitekturën e tyre, asetet e tyre, burimet e tyre dhe rrezikshmërinë e tyre. “Pikërisht në këtë moment që dhe pjesa paketë së ligjit është bërë gati fillon puna konkrete. Çdo ditë do të ketë goditje të atyre që deri dje quheshin qoftë dhe nga media të paprekshëm”, tha Peza.