Vijon mbështetja direkte tek fermerët për mjediset e duhura për përmbushjen e kushteve optimale të garancive për tregun e brendshëm e të huaj falë financimit nga Programi IPARD.

Kështu shkruan Kryeministri Rama në facebook teksa publikon një intervistë të Drejtores së AZHBR, Frida Krifca, nga Libofsha e Fierit, ku është ngritur një tjetër model zhvillimi i fermave të mëdha blegtorale në vend, ferma “Trisalb”.

“Kontrata që kemi lidhur me këtë subjekt, përveç pajisjeve, përfshin edhe ndërtimin e dhomës së re të mjeljes. Kjo teknologji do të rrisë produktivitetin e kësaj ferme. Ka 680 lopë dhe synon të shkojë deri në 1000 lopë brenda një viti. Investimi i ri do të rrisë kapacitetet e fermës, duke siguruar edhe cilësinë e qumështit që grumbullon. Pajisja e re do të rrisë standardet dhe kushtet në fazën e mjeljes”, tha Krifca për ERTV.

Sistemi i ri teknologjik në dhomën e mjeljes është një teknologji amerikane që aktualisht nuk gjendet në rajon. Krifca sqaroi se stalla e fermës në vetvete është financim i një viti më parën nga skema kombëtare e qeverisë shqiptare, ndërsa pajisjet janë financuar nga IPARD.