Në Kuvend do të miratohen ndryshimet në ligjin “Për Ushqimin”, i cili i hap rrugë një ristrukturimi të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, institucionit më të rëndësishëm në vend kur është fjala tek kontrolli i produkteve në tregje. Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi gjatë fjalës së tij në seancën e sotme dha më tepër detaje rreth projektligjit.

“AKU nuk mund të vazhdojë më të identifikohet si një institucion i masave represive, që vetëm vendos gjoba e aplikon ndëshkime ndaj operatorëve të biznesit ushqimor. AKU-ja e re duhet të ketë një rol tjetër karshi biznesit dhe konsumatorëve. Sfida jonë është ta shndërrojmë në një strukturë inteligjente, me burime njerëzore të kualifikuara. Do të ndërmarrim një fushatë rekrutimi dhe trajnimi të punonjësve të rinj së bashku me Autoritetin e Kontrollit të Ushqimit në Irlandë, i cili është ‘binjakëzuar’ me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit tek ne, kuadër të projektit të financuar nga Bashkimi Europian për sigurinë ushqimore”, tha ministri Çuçi.
Me ndryshimet ligjore, do të forcohet roli i Drejtorisë së Vlerësimit të Riskut bazuar në vlerësime shkencore dhe të dhëna historike, për praktika të ndjekura nga operatorët e biznesit ushqimor.

“Do të kemi një strukturë të re brenda AKU-së që analizon të dhënat e inspektimeve ndër vite, në mënyrë që plani i monitorimit kombëtar të mos jetë një plan, le të themi mekanik, por të jetë i bazuar në analizë dhe statistika disa vjeçare. Në këtë mënyrë do të jemi në gjendje të ndërmarrim kontrollet e duhura ndaj operatorëve të biznesit ushqimor, pa abuzuar dhe pa u bërë pengesë për zhvillimin e biznesit”, tha ministri Çuçi.
Një tjetër aspekt shumë i rëndësishëm i ndryshimeve ligjore është shmangia e kontrolleve të dyfishta për operatorët e biznesit ushqimor edhe nga inspektorët e AKU-së edhe nga inspektorët e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor. Rreth 15 mijë OBU lehtësohen nga ky kontroll i dyfishtë, që shpesh linte vend edhe për abuzim. Ulja e barrës së inspektimit nga dy institucione për të njëjtin subjekt apo çështje, shmang mundësinë për abuzim.

Për herë të parë do të aplikohet një lehtësim në sistemin e vetëkontrollit, ku subjektet me risk të vogël do të përjashtohen nga kontrollet me të njëjtat kritere si bizneset e mëdha. Kjo i jep frymëmarrje prodhuesve të vegjël. Natyrisht duke mos cënuar këtu parimet bazë të kushteve higjeno-sanitare dhe standardeve të sigurisë ushqimore.  “AKU-biznes-konsumator është një trekëndësh shumë i rëndësishëm, dhe ndërveprimi sa më i mirë mes tyre na garanton produkte të sigurta në tregjet tona. AKU-ja e re do të jetë një insitucion më dinamik, më inteligjent, më transparent dhe do të adresojë siç duhet sfidat e kohës, duke patur më së shumti në fokus fenomenet që shqetësojnë sot konsumatorët dhe operatorët e biznesit ushqimor”, tha në Kuvend ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Linku per pamjet
https://wetransfer.com/downloads/80834950f06b06a0c965ab12648fd7ac20200212180155/127fcf48aa9b287dc15c3ad5a186898920200212180155/155e80