Shpesh nga ekrani shohim vetëm 90 minuta futboll, por për kaq kohë, duhen orë të tëra stërvitje dhe sakrifica të mëdha. Emisioni “Ora e Tiranës” ka qenë në “Skënder Halili”, në fushat ku stërvitet ekipi i Tironës, siç e quajnë tifozët e saj të flaktë, duke sjellë një intervistë me trajnerin Emanuel Egbo, i cili ka folur pa dorashka për ekipin, tifozët, shqiptarët dhe paragjykimet e para kur mbërriti në kryeqytet.
Si e vendosët ta drejtonit Tiranën?
Nuk ishte hera e parë që më propozojnë në krye të Tiranës. Disa herë më është propozuar kjo punë nga ana e presidentit, por nuk e kam pranuar vetë. Këtë radhë e kam menduar mirë, duke marrë këshilla edhe nga njerëzit e afërt, gjithmonë para se të vendosja të pranoja kërkesën e presidentit.
Çfarë i ka dhënë Egboja ekipit të Tiranës që është kthyer te fitorja?
Egboja nuk ka dhënë asgjë. Unë kam ardhur me ndihmën e Zotit. Shumë frymëzim e marr nga Zoti, pasi u konsultova me të, duke u lutur. Emri Emanuel do të thotë: Zoti është me ne.
Si është të fitosh derbin pas gjashtë vitesh?
Për mua derbi është derbi. Në ndeshjen e fundit derbi, nuk është se kemi bërë ndonjë gjë të veçantë. Kam vendosur lojtarët në vendet e tyre natyrale. Kemi kërkuar që lojtarët të bëjnë gjëra të thjeshta. Nuk kemi kërkuar që t’i fusim lojtarët nën presion apo në emocion për këtë ndeshje. Kishim shumë vite që nuk fitonim derbin dhe në këto kushte u thashë lojtarëve që të futemi në fushë dhe ta shijojmë ndeshjen me Partizanin në maksimum.
Jeni te Tirana që në 2001-shin?
Normal që është përgjegjësi e madhe për mua për të qenë trajner i skuadrës më të madhe në Shqipëri me 24 tituj kampionë. Nuk është e lehtë të jesh trajner i kësaj skuadre. Prej 2001-shit luajta si portier. E njoh shumë mirë ambientin. Trajnerë asokohe ishin Shkëlqim Muça dhe Sulejman Mema, Mirel Josa, Fatmir Frashëri. Në fillim president ishte El Saedi, ndërsa më vonë erdhi presidenti i tanishëm Refik Halili.
Si e stërvitni Tiranën dhe si është regjimi që mbajnë djemtë?
Stërvitjen e bëjmë siç duhet ta bëjë një ekip profesionist në kampionatet në botë. Stërvitemi rreth 2 orë në ditë me një apo dy herë. Në karrierë duhet dieta dhe regjimi. Kur luan futboll, nuk duhet të merresh me femra, të pish duhan, alkool e me radhë. Sporti do sakrificë, sepse nuk mund të bësh gjëra nga më të ndryshmet, pra duhet t’i lësh mënjanë shumë gjëra.
Pjesë e ekipit është edhe djali i presidentit. Çfarë ju thotë kjo?
Grent Halilin nuk e shoh si djalin e presidentit. Të gjithë, duke përfshirë edhe Grentin, e shohim si lojtar të skuadrës. Nëse është gati, do të jetë në fushë dhe nuk ka asnjë kompleks që ai është djali i presidentit të klubit. Thjesht është një pjesë e skuadrës.
Keni ndonjë mesazh të veçantë për tifozët?
Klubi ka nevojë për njerëz pozitivë. Duhet të bashkohemi të gjithë, lojtarë, tifozë president, çdo njeri pjesë e këtij klubi. Nuk duhet të luftojmë njëri-tjetrin. S’më vjen mirë kur tifozët vijnë në fushë dhe shajnë presidentin e klubit dhe gjithçka tjetër. Ne do të jemi bashkë një familje, mund të ketë hatërmbetje, zënka, por në fund mbetemi bashkë. Në fund u lutem tifozëve të vijnë në stadium për të përkrahur ekipin, madje edhe presidentin, sepse ai është pronari i ekipit.
Sa e ndien veten tirons të vjetër?
Jam nigerian, por gjysmën e jetës e kam kaluar jashtë vendit tim të lindjes. Në Shqipëri kam 18 vite. Kam nënshtetësinë shqiptare dhe mund ta quaj veten si shqiptar. Nuk jam 100 për qind me gjak shqiptar, por e ndiej veten shqiptar. Edhe pse kam punuar 7 vite në Ballsh, shtëpinë e kam pasur në Tiranë. E pranoj dhe e quaj veten tirons i vjetër.
Si ju është dukur Tirana ditën e parë që keni ardhur në kryeqytet?
Ka ndryshuar shumë qyteti për mirë. Madje, edhe ky stadium i ri, ku më parë ka qenë ish-stadiumi “Qemal Stafa” tregon se si ka ndryshuar qyteti, si ka qenë dhe është Shqipëria e sotme. Herën e parë që zbrita në Rinas isha pak i çorientuar, sepse nuk e mendoja se do të isha kështu. Kam mbaruar stërvitjen dhe kam dalë në qendër të Tiranës. Kam qenë pak a shumë i vetmi njeri me ngjyrë. Më shihnin sikur unë kisha zbritur nga qielli. Shqipëria vinte nga koha e luftës, sapo ishte hapur emigrimi në Shqipëri. Shumë njerëz nuk e kishin parë një njeri me ngjyrë dhe kjo u dukej e çuditshme. Ishte edhe çështje injorance e disa njerëzve. Në përgjithësi, është kohë e ndryshme nga 2001-shi deri më sot.
Keni ndier paragjykim si i huaj?
Jo vetëm në Shqipëri, por në çdo vend kur shkon si i huaj do të ketë njerëz të edukuar, injorantë dhe të kulturuar. E njëjta gjë është edhe në vendin tim. Në përgjithësi shqiptarët janë të mirë dhe mikpritës, prandaj nuk është çudi që jam këtu prej 20 vitesh.
Cilat janë dallimet dhe të përbashkëtat mes nigerianëve dhe shqiptarëve?
Ka shumë gjëra të përbashkëta. Dasmat janë të përbashkëta. Janë pak a shumë njësoj. Dhëndri shkon merr nusen. Dasma zgjat një javë, siç bëjnë shqiptarët në fshat. Edhe ceremonitë janë njëlloj. Në shtëpi në fillim, pastaj në kishë e xhami.
E keni pasur të vështirë me shqipen?
Shumë njerëz thonë që shqipja është e vështirë. Në fakt, është e kundërta. Shqipja ka 36 shkronja edhe dialekti im në Nigeri ka 36 shkronja. Pak a shumë tingëllon njëlloj. Një muaj kam punuar me një mësuese personale, më pas nga telenovelat dhe televizionet apo diskutimet me shokët. Me llnë, ç-në xh-në e kisha problem në fillim tani jo.
Nga lojtarët e kombëtares kë pëlqeni?
Odise Roshin. Është shumë i shpejtë si futbollist. Jep 100 për qind në fushë. Shqipëria ka lojtarë të mirë. Duhet të ndryshojë mentalitet dhe të marrë në skuadër edhe të huaj dhe nuk është çudi që të kualifikohet në Botëror apo Europian.