Neymar thuhet se nuk pranoi të stërvitej, pasi trajneri i PSG, Thomas Tuchel, nuk i dha garanci për të luajtur kundër Borussia Dortmund. “Mundo Deportivo” pretendon se 28-vjeçari shpërtheu ndaj trajnerit, pasi u la jashtë skuadrës në fitoren 6-1 të çerekfinales së Kupës së Francës me Dijon, në fillim të këtij muaji. Tuchel pretendoi pas ndeshjes në fjalë se Neymar ishte ende duke u rikuperuar nga dëm timi në brinjë dhe se nuk mund të thoshte nëse bëhej gati për sfidën e parë të 1/8 finale të Champions-it, kundër Borussia Dortmund.

Sidoqoftë, sulmuesi duket se e kishte deklaruar veten të gatshëm që për duelin me Dijon. Kur Neymar dëgjoi Tuchel të vinte në dyshim rolin e tij ndaj Dortmund, nuk pranoi të marrë pjesë në stërvitje. Ai kërkoi shpjegime pse nuk ishte pjesë e skuadrës për ndeshjen kundër Amiens, e cila përfundoi në barazim 4-4. Transferimi rekord botëror u rikthye më në fund në formacion kun dër verdhezinjve të Bundesligës, javën e kaluar. Sidoqoftë, PSG e tij humbi 2-1, duke iu nënshtruar dy golave të Erling Haaland, para ndeshjes së kthimit (muajin e ardhshëm) në kryeqytetin francez.

Kjo sjellje e Neymar hedh dyshime për të ardhmen e tij të parizienët, me Barcelonën që ende mendon kthimin e 28-vjeçarit në “Camp Nou”. Kjo gjë u tentua edhe verën e kaluar, por pa sukses. Duket se trajnerit Tuchel po i sos durimi me të. Braziliani nuk ka bërë më shumë se 20 paraqitje në Ligue 1, në një sezon të vetëm, që kur u bashkua me PSG nga Barça për shumën rekord botëror të 222 milionë eurove, në vitin 2017. Kylian Mbappe tani është njeriu kryesor i PSG dhe kampionët francezë janë në një garë të ethshme për ta zgjatur kontratën e tij, pasi Real Madrid raportohet se e josh me një ofertë rekord botëror.