Qeveria ka intensifikuar investimet në përmirësimin e standardeve të cilësisë rrugore nga jugu deri në veri të vendit. Drejtori i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Ergys Verdho, gjatë Konferencës së Nivelit të Lartë “Siguria Rrugore 2020” u shpreh se, “prej katër vitesh janë implementuar projekte të rëndësishme që kanë rritur sigurinë rrugore, kryesisht në rrugën Tiranë-Sarandë, Tiranë-Kapshticë, Tiranë-Hani Hotit, Tiranë-Kukës-Morinë”.

Sipas tij, për rritjen e sigurisë dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, ARRSH ka realizuar mbi 50 projekte rehabilituese në akset Vorë-Fushë-Krujë, Mbrostar-Levan, Ura Bunës-Murriqan, Unaza e Pogradecit- Qafë-Plloçë, Gjirokastër-Kakavijë, autostrada Tiranë- Durrës, Burrel-Klos, e shumë të tjera që sot janë të dukshme dhe kanë rritur sigurinë rrugore.

“Gjatë vitit 2019, janë tre projekte të rëndësishme të financuara nga buxheti i shtetit, që janë implementuar në tre rajone të veriut të vendit dhe gjatë 2020 vijon zbatimin edhe për 2 projekte të tjera. Ashtu sikurse veriu i Shqipërisë që është mbuluar me 300 km sinjalistikë horizontale vertikale, si dhe mbrojtje metalike edhe në jugun e vendit janë 300 km të tjerë të plotësuar me të gjitha standardet bashkëkohore në këtë drejtim”, – tha Verdho.

Gjithashtu ARRSH ka një projekt ambicioz për kalimin e këmbësorëve në akset Thumanë-Milot, Kukës- Morinë, që mbarojnë në pranverën e vitit 2020. Punime të tilla kanë prekur edhe shumë akse të tjera, si Elbasan, Qafë-Thanë, Llogora, Sarandë, e shumë të tjera. Projektit tjetër vijoi drejtori i ARRSH-së, është edhe ai i qeverisës shqiptare dhe BB që prek me investime edhe 16 pikat e zeza rrugore në akset kombëtare. Ndërsa me programin IPA, është parashikuar të mbyllen punimet brenda këtij viti, edhe në 10 pika të tjera të zeza.

“ARRSH parashikon që gjatë vitit 2020, me fonde nga buxheti i shtetit, të bëj restaurimin edhe të 15 pikave të tjera të zeza. Ndërsa 12 mijë metra linearë rrugë, kryesisht rrethrrotullime apo kryqëzime, do të mbulohen me mbrojtëse metalike, duke garantuar kështu siguri më të lartë rrugore. Ndërsa priten projekte të tjera që do të rehabilitojnë me mbrojtje metalike, të gjitha rrethrrotullimet në të gjithë vendin”, – tha Verdho.