Nga Alfred Peza/
Eh çfarë përkimi interesant: Nga 2 Marsi 1444, tek 2 marsi 2020! Historia po përsëritet: Nga Gjergj Kastrioti Skënderbeu, tek Ilir Meta. Nga Beslidhja e Princërve shqiptarë në Lezhë, tek ai i ish drejtorëve të LSI në Bulevardin e Tiranës. Nga bashkimi shqiptar kundër pushtimit osman, tek “revolucioni popullor” i Presidentit të Republikës, kundër “grushtit të shtetit” të Kryeministrit.
Ka disa momente të historisë sonë të largët e të afërt që duhen përjetuar ose me trimëris, ose me frikë. Ka shumë të tjera si kjo që pritet të ndodhë, që duan veç të kesh popcorn me shumicë përpara televizorit. Ka disa zhvillime, që kanë nevojë për analistë. Ka të tjera, që kanë nevojë për psikoanalistë.
Të presim e të shohim nëse Ilir Meta e bën dot Skënderbeun pas 576 vitesh dhe nëse shqiptarët janë ende nën Perandorinë Osmane? Apo në vitin e 20 të shekullit të XXI, jemi gati për tu bërë, pjesë e Europës së Bashkuar? Vetëm kjo është çështja. Ndaj: The show must go on!