Një përfaqësi nga Komisioni i Venecias pritet të vizitojë Tiranën me 13-14 shkurt, për të dëgjuar ballë për ballë të gjitha palët e përfshira në çështjen e ngritjes së Gjykatës Kushtetuese. Axhenda e takimeve të delegacionit do të nisë me kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në orën 09:30 të së enjtes, në 10:40 do të kenë takim me Komisionin Hetimor, në 12 me presidentin Ilir Meta dhe në 16:00 me Arta Vorpsin.

Ndërkohë me 14 shkurt, delegacioni i Venecias do të takohet me kreun e KED, Ardian Dvorani. Aktualisht Komisioni i Venecias ka administruar pyetjet e Kuvendit, të cilat kërkojnë ta cilësojnë antikushtetuese dekretin e Kreut të Shtetit për anëtaren e Kushtetueses Marsida Xhaferllari, dhe kërkesën prej 64 faqesh të Ilir Metës ku akuzon Parlamentin dhe kreun e KED-së Ardian Dvoranin se kanë shkelur Kushtetutën për emërimin e dy anëtareve të tjera të Kushtetueses Elsa Toska dhe Fiona Papajorgji.

Pas vizitës në Tiranë, Venecia do të ketë edhe një raport paraprak për vendin tonë, ndërkohë që me 20 mars do të mbahet edhe seanca plenare me dyer të mbyllura e Komisionit të Venecias. Në këtë seancë përfaqësuesit e Presidencës dhe të Kuvendit do të arsyetojnë kërkesën e tyrë përpara zyrtarëve të këtij Komisioni dhe në fund të këtij takimi do të ketë edhe një raport përfundimtar për t’i dhënë zgjidhje debatit institucional për Gjykatën Kushtetuese.

AXHENDA

Nesër në 9:30 delegacioni i Venecias takon Ruçin. Në orën 12:00 delegacioni i Komisionit të Venecias takon Presidentin Ilir Meta. Në orën 10:40 delegacioni i Komisionit të Venecias takon anëtarët e Komisionit Parlamentar Hetimor. Në orën 16:00 delegacioni i Komisionit të Venecias takon Arta Vorpsin Në 14 shkurt në orën 10: 15 delegacioni i Komisionit të Venecias takon Ardian Dvoranin, kreu i KED.