Nga Skënder Minxhozi
Konferenca e donatorëve dha një sinjal të fortë përkrahjeje për shqiptarët e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit. Ndërsa parashikimet më entuziaste prisnin diçka mes 300-400 milion eurove në formë ndihmash dhe kredish të buta, totali prej 1 miliard e 150 milion euro i mbledhur në fundit të ditës, tejkalon çdo pritshmëri. Në një kontinent ku kanë rënë edhe pas tërmetit tonë, të tjerë tërmete edhe më të fuqishëm, ky angazhim i 94 shteteve nga e gjithë bota përbën një histori të madhe suksesi.
Suksesi i parë i kësaj konference është se donatorët nga e gjithë kanë siguruar burime mëse të mjaftueshme financiare, për të shëruar plotësisht plagët që la pas 26 nëntori. Mbi 12 mijë banorët e goditur nga tërmeti, kanë sot shumë më tepër arsye për të pasur besim se shtëpitë, bizneset e infrastrukturat në zonat e tyre, do të riparohen dhe se kjo nuk do të do ndodhë pas dhjetë vjetësh.
Kur fatura prej 985 milion eurosh u bë publike, pati jo pak spekticizëm se kjo shumë do të ishte thjesht e paarritshme nga donacionet që do mblidheshin në Bruksel në 17 shkurt. E pra kjo shifër tashmë është tejkaluar, duke lejuar hapjen me sukses të të gjitha kantiereve të rindërtimit, në të gjitha zonat e dëmtuara.
Rezultati final i Konferencës hodhi poshtë të gjitha pretendimet se të tilla formate mbledhin diku mes 20-30% të shumë që nevojitet. Në këtë pikë, apeli për ndihmë i qeverisë shqiptare, institucioneve të tjera të shtetit, partive politike e shoqërisë civile, i ka dhënë formë një suksesi financiar të papritur dhe mëse pozitiv.
Së dyti, Edi Rama ka sot luksin e vogël të shohë në sy të gjtihë kritikët e vet dhe t’u vendosë përpara tabelën e shifrave nga Brukseli. Është një rezultat mbi të cilën sot nuk funksionon as ironia e Presidentit, as akuzat agr esive të Berishës, as tonet luftarake false të Bashës. Nëse përdorim gjuhën e personave të mësipërm, sot bota ka financuar qeverinë e dro gës, qeverinë e korrupsionit, sot i kanë mbushur xhepat Rilindjes së hajdutëve, të majtës që vjedh vota e shkreton arkën e shtetit. Mbledhja e atyre fondeve sot është një fitore politike, po aq sa edhe financiare. Një fitore e cila të paktën në 48 orët që vijnë, i ve në pozitë të vështirë kritikët e palodhur të qeverisjes aktuale.
Në këtë gjest të fortë përkrahjeje për shqiptarëve, në mesin e shumë donacioneve, bie në sy pozicioni i Francës. Një mesazh i qartë përkrahjeje nga një shtet që vetëm një javë para tërmetit të nëntorit, bllokonte me kokëfortësi dhe duke hyrë në sherr me aleatët brenda BE, hapjen e negocuatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Kjo qasje e vendeve më të mëdha perëndimore, si dhe e shteteve të tjera të afërta e të largëta, e bën dimensionin e 1.1 miliard eurove të rëndë dhe plot zhurmë, edhe nga aspekti politik. Një fitore dyfishe nga Brukseli. Në fakt për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për një pjesë të tyre!