Maratona “Një hap për Durrësin” është zhvilluar ditën e diel si një aktivitet sensibilizues për të prekurit nga tërmeti i 26 nëtorit 2019. Maratona nisi në sheshin “Liria” dhe kishte një itinerar prej 5 km. Ky marshim sensibilizues i organizuar nga atletja durrsake Deborah Keçi dhe mbështetur nga Bashkia e Durrësit dhe më shumë se çdo herë tjetër kishte shumë pak rendësi nëse ecën apo vrapon, nëse arrin i pari apo i fundit, për sa kohë bëhemi bashkë dhe hedhim një hap përpara. Me këtë moto qindra sportistë e qytetarë nga Durrësi, nga i gjithë vendi, nga Kosova por edhe të huaj vrapuan në një aktivitet që nuk ishte vetëm sportiv e sensibilizim për një jetë aktive, por edhe një solidarizim për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti.Pjesëmarrësit u nisën nga bulevardi drejt disa rrugë kryesore të Durrësit për të përfunduar sërish në sheshin Liria ku u zhvillua edhe ceremonia e ndarjes së medaljeve të fituesve si dhe një koncert live për qytetarët. Fituesit e kësaj maratone ishin Elsuida Loca për femra dhe Haxhi Berisha për meshkuj. Të ardhurat e grumbulluara nga kjo maratonë do të shkojnë për rikonstruksionin e një shkolle të dëmtuar nga tërmeti.
Në këtë event kanë marrë pjesë personalitete të ndryshme si nënkryetari i Bashkisë së Durrësit Florian Tahiri, zv/ministri i arsimit, Olti Rrumbullaku, rektorja e Universitetit “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, Kseanela Sotirofski, drejtoresha e zyrës vendore arsimore, Jonida Matohiti, drejtori i autoritetit portual, Pirro Vengu, atletja kampione Luiza Gega, kreu i sindikatës së futbollistëve, Andi Lila, të cilët u kanë dhënë edhe medaljet fituesve të kësaj maratone.