Agjencia Shqiptare e Zhvillimit të Investimeve (AIDA) publikoi broshurën “Shqipëria thërret – Një vend plot oportunitete” ku renditen sektorët dhe arsyet kryesore për të investuar në Shqipëri bashkë me të dhëna mbi klimën e të bërit biznes në vendin tonë. Gjithashtu pjesë e broshurës janë incentivat mbi sektorët kryesorë të investimit në Shqipëri si energjia, turizmi, bujqësia, manifaktura, zonat e teknologjisë dhe zhvillimit ekonomik (TEDA) etj, të shoqëruara me pamje të pikave turistike në Shqipëri.

Pozicioni gjeografik, qasja në treg të lirë, mjedis miqësor për biznesin, modeli “One stop shop”, mundësi investimi të larmishme, mbështetje ligjore për investimet e huaja, sistem tatimor i favorshëm, fuqi punëtore konkurruese, infrastrukturë në zhvillim, si dhe të qenurit destinacion turistik global, janë 10 arsyet pse duhet të investosh në Shqipëri. Qeveria shqiptare gjithashtu ka lëvizur përpara me një plan ambicioz ekonomik dhe një axhendë reformash strukturore që pritet të japin një kontribut për një mjedis më tërheqës për biznesin. Ligji i ri për investimet strategjike siguron garanci ligjore maksimale për investitorët e huaj.