Pala gjermane do të zhvillojë në 13-14 shkurt 2020, një vizitë në Shqipëri, për të bërë një raport në funksion të procedurës që do të kryhet nga qeveria federale për njohjen e patentave mes dy vendeve.

Pas vizitës së përfaqësuesve diplomatikë gjermane në Shqipëri, të cilët do të vlerësojnë situatës mbi procesin e trajnimit, testimit dhe aspekteve tjera që lidhen me dhënien e patentave në Shqipëri, do të vijojë shqyrtimi i mëtejshëm nga institucionet federale dhe nga secili Land në Gjermani.

Ambasada Shqiptare në Gjermani bën të ditur se sikurse është njoftuar edhe nga mediet, gjatë takimit që Kryeministri Rama pati në Berlin në fund të muajit Janar 2020, e ka diskutuar këtë çështje edhe me Kancelaren Merkel.

“Kërkesa nga shteti shqiptar për njohjen e patentave shqiptare në Gjermani është bërë fillimisht në vitin 2007. Kërkesa e bërë në vitin 2007 është refuzuar të shqyrtohet nga pala Gjermane. Në vitin 2017 nga ambasada Shqiptare në Berlin, me notë verbale drejtuar ministrisë Federale të Transportit është risjellë kjo çështje në vëmendje të shtetit gjerman dhe është rikërkuar trajtimi i kërkesës për njohjen e patentave shqiptare në Gjermani”, thekson Ambasada e Shqipërisë në Gjermani.

Në vitin 2018, ambasada e Shqipërisë në Berlin, ka dërguar edhe kërkesën për të mundësuar dhënien e testimit për patentë në Gjermani, në gjuhën Shqipe në periudhën deri në njohjen e patentave, kërkesë që nuk është pranuar nga pala Gjermane, me argumentimin se është marrë vendim në nivel Federal që të mos pranohet me asnjë kërkesë tjetër nga asnjë shtet, për dhënien e testimit në gjuhën amtare, pasi një gjë të tillë do ta kërkonin të gjitha vendet.

Nga pala gjermane është konfirmuar në fund të vitit 2019 se kërkesa për njohjen e patentave në Gjermani, është dërguar e plotë nga pala shqiptare dhe se është kaluar për shqyrtim te të gjitha landet dhe te institucionet federale.

Po ashtu, në fund të vitit 2019 në një takim të ambasadorit të Shqipërisë në Gjermani, Artur Kuko, me drejtues të lartë të ministrisë Federale të Transportit është konfirmuar se shteti gjerman do e trajtojë me përparësi kërkesën e Shqipërisë për njohjen e patentave.

Me propozim të Ambasadës, çështja e njohjes së patentave në Gjermani është një ndër temat kryesore të trajtuara edhe në konsultimet e fundit politiko-diplomatike mes dy vendeve të realizuara në Tiranë në fund të vitit 2019.