Alfred Peza

Në çdo hap që hedhin, në çdo nisëm që përfshihen, në çdo tryezë që ulen, në çdo diskutim që bëjnë opozitarët tanë, kanë vetëm një hall: Si ta bllokojnë deri në momentin e fundit, zhbërjen e sistemit të vjetër dhe ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë.

Rasti më i fundit, është ai i propozimit të përfaqësuesve të PD në tryezën e reformës së elektorale, për gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor. Ku kërkuan që trupa e re e zgjedhjeve të ardhëshme, të jetë me gjyqtarë të drejtësisë së vjetër. Me gjyqtarë që nuk e kanë kaluar detyrimin kushtetutes dhe ligjor për tiu nënshtruar më parë procesit të vettingut. Jo vetëm kaq, por kanë propozuar që numri i anëtarëve të Kolegjit të Ri të jetë nga 8 në 15 anëtarë dhe ata të gëzojnë 4 vite imunitet nga vettingu.

Ndërkohë që PS është kundër dhe propozimi i saj është që numri i anëtarëve të Kolegjit të shkojë nga 8 në 5 dhe të gjithë anëtarët e rinj, ti jenë nënshtruar për parë procesit të vettingut.

Përpara kësaj, edhe Ilir Meta shpalli futjen e tij në një betejë të re politike me mazhorancën, me sebep luftën e tij për të mbrojtur Kushtetutën. Por shkaku i vërtetë, ka të bëjë me përpjekjet e institucionit të Presidencës për të mbajtur në ngërç artificial ngritjen e Gjykatës Kushtetuese, nga frika se një nga vendimet e saj të parë, do të jetë shqyrtimi i aktit të shkarkimit të kreut të shtetit të ndërmarë nga mazhoranca parlamentare.

Këto dy akte, janë hapat e fundit të opozitës dhe përfaqësuesve të opozitarizmit aktual në Shqipëri, për të bllokuar ecjen përpara të proceseve të vendit, duke u mbajtur me thonj tek drejtësia e vjetër dhe përfaqësuesit e saj të pavettuar.

Pas miratimit të reformës në drejtësi me të 140 votat e 140 deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë, opozita shumë shpejt u pendua dhe ka bërë gjithçka për ti vendosur shkopinjtë nën rrota makinës së re të drejtësisë, që ajo të mbërrinte sa më parë në destinacion.

Përpjekjet kanë nisur nga ankimimi që opozita nxiti për të dërguar procesin e vettingut në Gjykatën Kushtetutese, e me radhë më pas me rezistencën e pashoqe për shkarkimin e ish Kryeprokurorit Adriatik Llalla në Kuvend. Për të vijuar me djegien e mandateve të deputetëve një vit më parë, daljen nga sistemi politik e demokratik i vendit, mosmarrja pjesë në zgjedhje me shpresën se do fitonin pushtetin në tavolinë për ta bllokuar dhe më pas zhbërë drejtësinë e re.

Ajo që bie në sy në të gjithë këtë përpjekje që ka vijuar edhe sot me propozimin e PD në tryezën e reformës elektorale për Kolegjin Zgjedhor, është se si PD ashtu edhe LSI, si Lulzim Basha, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi janë një, në të gjithën këtë ndërmarrje. Mjafton që secilit prej tyre apo të gjithëve bashkë, ti jepet një mundësi për ta penguar, e ata nuk janë kursyer.

Kjo tregon se opozita më shumë sesa hallin e rikthimit në pushtet, ka hallin e reformës në drejtësi. Duket sikur në këtë periudhë edhe pushtetin e duan me çdo çmim, vetëm me një kusht dhe për një qëllim: Për ta zhbërë drejtësinë e re që Shqipëria po sendërzon me ndihmën e pakursyer të SHBA dhe BE. E do ta bëjnë këtë përpjekje, deri sa të kenë edhe mundësinë e fundit, sado e vogël që të jetë ajo. Lajmi i mirë, është se shanset po i shterojnë dhe se drejtësia e re, tashmë po bëhet çdo ditë e më tepër, një realitet i ri për Shqipërinë.