Nga Eduard Zaloshnja/
Partitë që përbëjnë sot koalicionin opozitar (PD, LSI, PDIU, PBDNJ, PR etj.) nuk garuan së bashku në zgjedhjet e fundit parlamentare (2017). Por nëse i mbledhim mekanikisht votat e tyre në ato zgjedhje, arrijmë në shifrën e 760 mijë votave. Nga ana tjetër, PS, PSD, PDS etj., të cilat kanë qenë tradicionalisht aleate, morën gjithsej 790 mijë vota më 2017 (shihni grafikun shoqërues).
Nësë bëjmë të njëjtën llogari mekanike me shifrat e 2013-ës, vëmë re se PS dhe aleatet e saj tradicionale morën pak a shumë aq vota sa më 2017. Ndërsa PD dhe aleatet e saj tradicionale do të kishin marrë më shumë vota, vetëm nëse LSI dhe PBDNJ do të kishin qenë në koalicion me to në ato zgjedhje. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për zgjedhjet e 2009-ës (ku pjesëmarrësit ishin më të pakët).
Ky historik elektoral i dekadës së fundit na tregon se pika e fitores në zgjedhjet e ardhshme do të jetë diku tek 800 mijë votat. PS, PSD, PDS etj. mund të mos i arrijnë 800 mijë votat në zgjedhjet e ardhshme, por dy zgjedhjet e fundit parlamentare (2013 e 2017) kanë treguar se ato mund të rrotullohen rreth këtij niveli. Prandaj partitë e shumta opozitare duhet t’i bëjnë mirë llogaritë para se të futen në zgjedhje. A do të marrin ato së bashku më shumë se 800 mijë vota?