Nga Eduard Zaloshnja

Të gjithë ata që popullonin bulevardin e Tiranës në vitet ’80 të shekullit të kaluar, dhe që kanë njohur Edmond Pulajn (a.k.a. Mone Pulaj), ndjesë pastë, e dinë se ai është autori origjinal i akronimit KÇK. I mësenjohur në atë kohë në bulevardin e Tiranës për koloritin e historive me spec që tregonte dhe akronimet pikante, Pulaj e përdorte këtë akronim për punonjësit e ndërrmarrjeve të asaj kohe, që e “ndihmonin” rrogën e tyre të vogël, me parimin “kap ça t’kapësh” (duke vjedhur diçka në qendrat e tyre të punës).

Por si lidhet ky akronim i Mone Pulajt me të njëjtin akronim që po përdor Edi Rama sot për prokurorët e gjykatësit, që, sipas tij, po përdorin parimin “kap ça t’kapësh”, para se të nxirren jashtë sistemit të drejtësisë nga Vettingu? Në vitet ’80 të shekullit të kaluar, ndër qindra njerzit (në mos mijra njerzit) që e njihnin nga afër Mone Pulajn, ishin Edi Rama dhe Fatmir Musai (Ed Rama dhe Fate C-ja, kështu i thërriste Monia dy studentët e atëhershëm të Akademisë së Arteve). Në vitin 2014, pas tre dekadash nga koha kur Mone Pulaj admirohej nga shumë “bulevardas” të Tiranës, këta tre persona patën një ndërlidhje krejt të tërthortë mes tyre.

Mone Pulajn e kishte futur në punë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë Fate C-ja, dikur drejtor i kësaj qendre. Me ardhjen e Ramës në pushtet, u shkarkua Fate C-ja dhe drejtori i ri shkarkoi nga puna edhe Monen e ndjerë. Atëherë, Monia e mbylli trekëndëshin e viteve ’80, duke i shkruar kryeministrit një sms. Të nesërmen i ndjeri Mone më tregoi përgjigjen e “Ed Ramës”, siç vazhdonte ta quante ai kryeministrin. Në të shkruhej: “Mone Pulaj është një monument i bulevardit, që ruhet nga shteti i qytetarëve”. Pas asaj sms-je, Mone Pulaj vazhdoi punën deri kur nderroi jete. Kush e ka njohur Mone Pulajn e ka shumë të lehtë të bëjë lidhjen mes “KÇK”-së së tij dhe kësaj që po përdor sot Edi Rama (thjesht si akronim, jo si kontekst). Akronimet dhe batutat e Mones së ndjerë përdoren gjerësisht edhe sot nga qindra (në mos mijra) njerzi, që e kanë njohur atë.