Studentët e Universitetit të Mjekësisë do të kryejnë praktikat mjekësore në laboratorin e ri të biosimulimit klinik pranë Fakultetit të Mjekësisë. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu bashkë me drejtuesit e Universitetit të Mjekësisë dhe një grup studentësh, panë nga afër investimin e ri, që përmbush një kërkesë të kahershme të studentëve, të cilët tashmë do t’i kryejnë praktikat klinike si në vendet europiane. “Ky është një premtim i mbajtur. Realizojmë një investim të munguar prej shumë vitesh dhe po aq të kërkuar nga studentët e Mjekësisë, laboratorin e biosimulimit për praktikën klinike të studentëve, një tjetër angazhim i përmbushur në kuadër të Paktit për Universitetin”, tha Manastirliu.

Investimi prej 26 mijë dollarë për laboratorin e biosimulimit klinik është mundësuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Fakulteti i Mjekësisë, në bashkēpunim me Fondin Global. Duke theksuar se investimet për mbështetjen e studentëve do të vazhdojnë, Manastirliu theksoi se në kuadër të Paktit për Universitetin janë mbajtur premtimet e dhëna. “Angazhimet tona në kuadër të Paktit për Universitetin vijojnë të përmbushen, duke ju dhënë mundësi studentëve të Mjekësisë të kryejnë praktikat klinike siç e meritojnë dhe një ndër këto angazhime është mundësimi i praktikave klinike për studentët e degës së Farmacisë, të cilët nuk e kanë patur këtë mundësi deri më sot dhe do ta kenë në kushte dhe standarde europiane në depon e re farmaceutike në QSUT”, tha Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale renditi një sërë angazhimesh të përmbushura në kuadër të Paktit për Universitetin.

“Është premtim i mbajtur praktika mësimore për studentët e Fakultetit të Shkencave Mjekësore qe kanë kryer për herë të parë – me angazhim tonë për Paktin- praktikën mësimore pranë Laboratorit të Kontrollit Shëndetësor Bazë. Është premtim i mbajtur mundësimi për herë të parë i trajnimeve jashtë vendit të studentëve, gjatë kohës së kryerjes së studimeve. Siç është premtim i mbajtur salla kirurgjikale digjitale në spitalin e ri të kirurgjisë, e cila do i shërbejë studentëve të mjekësisë për të ndjekur ndërhyrjet kirurgjikale”, tha Manastirliu. Gjatë takimit me studentët, Ministrja e Shëndetësisë tha se së shpejti do të prezantohet projekti amicioz i ngritjes së Qendrës së Biosimulimit Klinik brenda Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, që do t’i vlejë formimit profesional të studentëve të Universitetit të Mjekësisë