Arben Ahmetaj, Ministër i Shtetit për Rindërtim erdhi nga Brukseli direkt në emisionin Opinion pas konferencës së donatorëve. Një shumë prej 1.15 miliard euro në formë financimesh direkte, investimesh për ndërtime banesash apo rikonstruksione të infrastrukturës, granteve, huave apo mbështetjes për programe zhvillimi u grumbullua sot në mbrëmje në përfundim të Konferencës ndërkombëtare të donatorëve, e zhvilluar në Bruksel për të ndihmuar Shqipërinë për të përballuar pasojat e tërmetit që goditi vendin më 26 nëntor të vitit të shkuar. Shuma e grumbulluar shkon përtej dëmeve të përllogaritura në 1.08 miliard euro.

Ministri Ahmetaj: Ishte një mbështetje ndërkombëtare spektakolare me solidaritet me popullin shqiptar dhe me familjen që kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre, ishte në një nivel të papërshkrueshëm. Tani, 400 milionë janë grante, që janë para që na i dhurojnë, nuk janë borxhe, pra janë donacione të drejtpërdrejtë. Rreth 650 milionë janë kredi të buta, me një kosto shumë të ulët, si në aspektin e interesit nuk janë kredi tregtare. Disa i kanë nën 2 % interes, janë disa interesa gati-gati tek 1. Këto janë të asociuara më të gjithë dëmin që kemi pasur ne më 26 nëntor dhe po ta lexosh të gjithë raportin e BE dhe parimet, qoftë janë të raporti, qoftë u nënvizuan sot, shkojnë përtej thjesht rindërtimit shkojnë tek rimëkëmbja ekonomike.

Franca sa ka dhënë? Ministri Ahmetaj: 60 milionë euro kredi e butë plus 1 milion grant. T’ju sqaroj 100 milionëshin? Është një instrument financiar përtej rindërtimit, është për zhvillimin ekonomik që e firmosi kryeministri para se të fillonte. Është 100 milionë kredi e butë.

Sa e butë? Ministri Ahmetaj: Po të gjitha këto lëvizin nën 2.25. Ky është një instrument financiar i cili negociohet me Qeverinë shqiptare më pas që mund të jetë për disa korsi ekonomike, socio-ekonomike. Pra, janë projekte./ Opinion.al