Nga Alfred Peza/

Ka një tendencë nga elita politike opozitare e vendit, sidomos pas dështimin për të bllokuar zgjedhjet e 30 Qershorit përmes “revolucionit popullor”, që të takohen më shumë me ndërkombëtarët sesa me shqiptarët.

Më shumë kohë dhe energji janë harxhuar nga shtatori 2019 e deri më sot, për të takuar ambasadorë, përfaqësues të Brukselit, institucioneve të tjera ndërkombëtare dhe për të udhëtuar në Uashington, sesa për të takuar strukturat drejtuese të partive të tyre në Tiranë, apo në bazë.

Mjafton që tu hidhni një sy aktivitetit politik të kohëve të fundit të Lulzim Bashës, Ilir Metës e Monika Kryemadhit e ndonjë kryetari tjetër partie aleate me to, për ta vërtetuar këtë.

Përpara vendimit të tetorit për çeljen ose jo të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE, Kryetari i PD më shumë ka qëndruar në Berlin, Vjenë, Bruksel a gjetkë për të lobuar siç u tha kundër anëtarësimit, sesa në Tiranë apo nëpër rrethe.

Gjatë këtij muaji Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi më shumë kanë qëndruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sesa nëpër zyrat e tyre në Presidencë apo selisë së partisë në Shqipëri.

Më interesantja në gjithë këtë histori është fakti se atëherë kur dolën nga sistemi parlamentar, politik e demokratik i vendit dhe përbetoheshin se do ta rrëzonin Edi Ramën me molotovë dhe përmes “rrugës së rrugës”, ata dhe propaganda e tyre bënin si sovrainistë, si nacionalistë, si antiperendimorë, si njerëz që nuk e çanin kokën fare se çfarë u këshillonin miqtë tanë dhe aleatët ndërkombëtarë.

Ishte koha kur opozitarët tanë nuk linin rast pa kritikuar ambasadorët e BE dhe SHBA, të dërguarit e tyre në Shqipëri dhe këdo tjetër që i këshillonte që ti riktheheshin rrugës së arësyes, për tu futur në zgjedhje dhe për të adresuar pretendimet e tyre, në tryezën e madhe të dialogut pa kushte.

Pasi erdhën vërdallë e vërdallë si kali në lëmë për gati një vit dhe e kuptuan që kjo rrugë nuk i çonte as tek fitorja e pushtetit në tavolinë, as tek marrëveshjet, as tek amnistia politike dhe as tek bllokimi i reformës në drejtësi dhe i ngritjes së institucioneve të tyre të reja, atëherë e kanë ndryshuar me 180 gradë qasjen gjatë 2020.

Një ditë të bukur, pa pritur e pa kujtuar, u rikthyen në tryezën e reformës në drejtësi sikur të mos kishte ndodhur asgjë. E pas kësaj, nga refuzimi i çdo ndërkombëtari, kanë nisur që të bëjnë foto, video, postime, komente e lajme me këdo që u del përpara dhe për këdo të huaj që takojnë.

Pak rëndësi ka për ta nëse janë takime zyrtare, jo zyrtare, informale apo të lobuara. Apo nëse kanë përballë njerëz me peshë apo pa ndonjë peshë politike dhe pa ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare me Shqipërinë dhe për shqiptarët. E rëndësishme është që të garojnë për të treguar se kush pozon më shumë me të huajt. Kush bën më shumë foto dhe selfie me ta. Kujt ia dhanë dorën e kush u buzëqeshi më shumë.

Kjo tendencë pas 30 vjetësh hapje të vendit dhe raportesh progresivisht të shtuara vit pas viti e dekadë pas decade në arenën ndërkombëtare, e bën këtë pjesë të elitës politike të vendit, në rastin më të mirë të duket provinciale në sy të ndërkombëtarëve e në rastin më të keq, qesharake.

Një gjë është e sigurtë kur vjen fjala për raportet mes ndërkombëtarëve dhe liderëve politikë të Tiranës nga njëra anë, e mes atyre vetë dhe shoqërisë shqiptare nga ana tjetër. Secila ka peshën dhe rëndësinë e vet. Por, në fund të fundit politikanët shqiptarë, liderët e partive tona dhe klasa jonë politike do të votohen këtu. Nga shqiptarët. Nga qytetarët e Shqipërisë.

Ndaj, të sforcohesh për të treguar se ke mbështetje ndërkombëtare kur të duhet që të testohesh fillimisht nëse ke apo jo vota e mbështetje popullore brenda vendit, është një sjellje kundërproduktive si në planin politik ashtu edhe në atë elektoral.

Sado i zoti që të jetë një politikan shqiptar për të krijuar raporte me ndërkombëtarët, ato në asnjë rast nuk të sjellin dhe nuk prodhojnë dot vota në Shqipëri. Për një arësye fare të thjeshtë: Në politikën e jashtme nuk ka miqësi personale, por ka vetëm reciprocitet, detyrime dhe interesa të ndërsjellta sipas parimeve të njohura ndërkombëtare. Ato nuk burojnë nga humoret individuale, por nga marrëdhëniet që shtetet dhe institucionet që ata përfaqësojnë, kanë me Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ndaj, sa më shumë që të kenë mbështetje brenda vendit, aq më mirë do ti përfaqësojnë interesat tona edhe jashtë saj liderët e opozitës sonë. Në të kundërtën, e gjitha është thjeshtë një show i panevojshëm që mund të sugjestionojë ndonjë militant partiak tek tuk, por kurrë qytetarët të cilët përpara se ta japin votën, vlerësojnë gjëra krejt të tjera tek liderët e tyre politikë brenda Shqipërisë.