Brenda vetëm 48 orësh, 6 persona humbën jetën nga koronavirusi në Itali, ndërsa numri i infektimeve u rrit me ritme frikësuese. Sipas të përditshmes italiane Corriere della Sera, shifra e rasteve të prekura mund të vazhdojë të rritet teksa vendi e gjen veten të përfshirë nga makthi që prej ditës së premte, kur u shënua viktima e parë.
Situata ka mbërritur në pikën që rajonet e Lombardisë dhe Venetos të bllokohen plotësisht. Mjaft zona atje janë futur në karantinë, nëpër rrugë ka dalë ushtria e shkollat, kinematë, pishinat e shumë objekte tjera publike janë mbyllur për të paktën një javë.
Po përse në vendin fqinj virusi po përhapet kaq shpejt? Angelo Boreli nga mbrojtja civile thotë se problem nuk është numri i testeve të realizuara, por fakti që mjekët kanë pasur vështirësi me identifikimin e simptomave të koronavirusit që në fillim.
Personi i parë që u paraqit me shenjë të sëmundjes në Itali ishte një 38 vjeçar, i cili nuk kishte udhëtuar jashtë vendit. Atë e nxorën fillimisht nga spitali me idenë që kishte një grip të thjeshtë, por më pas gjendja e tij u përkeqësua, dhe pas rikthimit u zbulua se kishte koronavirusin.
Ndërkohë, nuk po gjendet se cili është pacienti “zero“, ndërsa mendohet se se mund të ketë qenë dikush i kthyer nga Kina, i cili mund të ketë infektuar të tjerë e mbase vetë, të jetë shëruar.