Deutsche Welle: Sapo u zgjodhët president i Shoqatës së Europës Juglindore në Gjermani, çfarë përfytyroni me këtë detyrë?
Manuel Sarrazin: Fillimisht është një nderim i madh, që një komunitet i tillë i përzgjedhur dhe i madh më jep këtë detyrë, për dy vitet e ardhshme të drejtoj Shoqatën e Europës Juglindore në bashkëpunim me presidiumin dhe këshillin shkencor. Ne duam të jemi një zë i fortë në Gjermani dhe Europë për çështjet e rajonit dhe për vetë idenë europiane në rajon.
Ku doni t’i vendosni pikërëndesat? Pas 20 vitesh të presidencës së Gernot Erler me ju fillon një epokë e re, edhe një ndërrim brezash … E para është që të vazhdohet puna e suksesshme e shoqatës, dhe të trajtohen sfidat që sjellin kohët e reja edhe për Shoqatën e Europës Juglindore. E dyta është që i gjithë rajoni, për momentin i gjithë Ballkani Perëndimor kanë nevojë për vëmendje politike në kryeqytetet europiane dhe në Berlin. Ne duam të përpiqemi si me punën tonë bazë, shkencën, por edhe me lobingun politik dhe si “think tank të mbajmë lart në Berlin vëmendjen për rajonin. E kjo sigurisht në radhë të parë lidhet me temat që trajtohen në mars, çeljen e negociatave të anëtarësimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.
Çfarë duhet të ndodhë tani e çfarë mund të bëjë Shoqata e Europës Juglindore? Besoj, se Bashkimi Europian me mosmarrjen e vendimit për fillimin e negociatave në gusht ka humbur shumë besueshmëri tek të dyja vendet. Dhe kërkohet veçanërisht roli i Gjermanisë të përpiqet të mbushë këtë boshllëk besueshmërie përmes një angazhimi proaktiv dhe intensiv me rajonin e të dërgojë sinjale të forta aty. Mendoj, se Shoqata e Europës Juglindore këtu mund të japë një kontribut të rëndësishëm me ekspertizë dhe sinjale të veta politike në rajon.
Krahas Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për vëmendje. Çfarë parashikoni në Serbi, në këtë vend do të zhvillohen në prill zgjedhjet parlamentare? Shoqata e Europës Juglindore e shoqëron të gjithë procesin në mënyrë kritike konstruktive. E shohim me shqetësim, që zgjedhjet në Serbi zhvillohen para sfidave të mëdha në politikën e brendshme. E sigurisht jemi të preokupuar, se si (mund të) respektohen standartet demokratike në këto zgjedhje, si në drejtim të qëndrimit që mbajnë aktorët qeveritarë ashtu edhe të sjelljes së opozitës. Mendoj, se është e rëndësishme, që të përpiqemi, nga njëra anë të mbajmë lart angazhimin e qartë të BE për procesin e zgjerimit për të gjithë rajonin, pra edhe për Serbinë, nga ana tjetër të bëjmë të qartë, që nuk do të ketë rabat të standarteve që prekin nenet 23 dhe 24.
Gregor Mayer u nderua këtë vit me çmimin e Shoqatës së Europës Juglindore si “kronist i rëndësishëm i minimit të demokracisë në Hungari”. Si në Hungari edhe vende të tjera në rajon janë të prekura nga proceset e gërryerjes nga brenda të demokracisë dhe populizmit në rritje. Me çfarë iu del ballë këtyre proceseve shoqata? Mendoj, se në vende si Hungaria, apo edhe në Turqi për shembull është gjëja e duhur që dalim në krah të shoqërisë civile, që në këto vende ndodhet nën presion të madh, por edhe në anë të gazetarëve dhe aktivistëve që ndodhen nën presion. Natyrisht në përmasa të ndryshme, nëse i krahason këto dy vende. Megjithatë duhet të tregojmë që ne e drejtojmë vemendjen tek situata, tek aktorët (e shoqërisë civile) dhe rolin e tyre dhe të jemi në Gjermani një zë mbështetës për këta njerëz. Përtej kësaj, mendoj, se një diskurs i rëndësishëm është që të shohim se në ç’masë mund të forcojmë proceset europiane, veçanërisht brenda anëtarëve të BE që kanë probleme të tilla, këtu nuk bën pjesë vetëm Hungaria, por edhe vende të tjera në rajon. Mendoj, se është e drejtë që qeveria gjermane ka lejuar që të fillojë një proces për shtetin ligjor, që parimisht vëzhgon të gjitha vendet europiane dhe nuk krijon përshtypjen, se vëzhgohen vetëm shtete të veçanta, nga rajone të tilla. Por ky proces duhet të çojë në një gjuhë të qartë në lidhje me situatën në Hungari, Rumani, Bullgari, por edhe në vende të tjera.
Krahas çmimit për gazetarë që raportojnë në gjuhën gjermane, shoqata do të mbështesë më shumë gazetarët në rajon me dhënien për herë të parë të një çmimi këtë vit për gazetarë nga Europa Juglindore që ndodhen nën presione të ndryshme… Mbështetja për gazetarët nga rajoni, që bëjnë një punë të rëndësishme për transparencë, luftimin e korrupsionit dhe ekonomisë klienteliste, e që shpesh punojnë nën presion apo në rreziqe -kjo është një nga temat që ka rëndësi për ne. Dhe ne duam që të dërgojmë një sinjal me dhënien e një çmimi për gazetarët nga rajoni.
Ju jeni deputet i Të Gjelbërve dhe zëvendësoni një socialdemokrat. A do të ketë zhvendosje në trajtimin e pikërëndesave? E ardhmja e rajonit të Europës Juglindore është, sipas mendimit tim, një çështje e së ardhmes për paqen dhe stabilitetin e të gjithë kontinentit. Dhe unë ndjehem këtu si njëri nga deputetët e Bundestagut, që e kanë në zemër rajonin, e për mua nuk do bëja dallime me kolegët nga partitë e tjera demokratike. Sigurisht që ka tema të caktuara, që lidhen më shumë me Të Gjelbrit, e që e prekin shumë rajonin, si për shembull ndryshimi i klimës. Përshtypja ime është, se Gernot Erler tema të tilla i kishte po ashtu në axhendë siç do t’i kemi edhe ne në të ardhmen. Po i afrohemi presidencës gjermane të BE në gjysmën e dytë të vitit. Çfarë përgatit Shoqata e Europës Juglindore për këtë fazë? Ne do ta shoqërojmë presidencën. Për ne ka rëndësi, që Gjermania të ketë një profil të sajin si aktor i perceptuar në rajon në periudhën e presidencës së BE. Shoqata e Europës Juglindore së bashku me Ministrinë e Jashtme dhe institucione të tjera, si Aspen-Institute do të përpiqet me aktivitete të përbashkëta të japë kontributin e saj për një presidencë të suksesshme.
Manuel Sarrazin, MdB (Aleanca 90/Të GjelbritGrünen), është zgjedhur president i ri Shoqatës së Europës Juglindore (SOG). Shoqata e Europës Juglindore është shoqata më e rëndësishme konsultuese e politikës në Gjermani për temat nga Europa Juglindore./DW