Presidenti kinez Xi Jinping u bëri thirrje udhëheqësve të partisë komuniste në pushtet që të vazhdojnë luftën kundër koronavirusit dhe shpalli masa të reja për të nxitur ekonominë e cila është dobësuar nga virusi vdekjeprurës. Numri i raste të reja të infektimeve ka qenë më i ulët gjatë javës së kaluar, një zhvillim që presidenti kinez e përmendi gjatë një takimi me anëtarët e Komitetit të Përhershëm të Byrosë Politike.
“Rezultatet janë një përparim i arritur me shumë mund nga të gjithë,” tha prtesidenti Xi, i cituar nga agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua. Ai vuri në dukje se fushata për të parandaluar dhe kontrolluar virusin ka arritur në “një fazë kritike që kërkon përpjekje serioze.” Presidenti Xi u bëri thirrje udhëheqësve të Partisë të punojnë për të arritur objektivat e zhvillimit shoqëror dhe ekonomik të këtij viti. Ai dha urdhër për uljen e taksave dhe të qirave si dhe shpalli masa të tjera për të forcuar ekonominë e dobësuar të vendit.
Ndërkaq, zyrtarët kinezë të shëndetësisë njoftuan se numri i të vdekurve nga koronavirusi ka arritur në më shumë se 1,100. Shifrat e Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë përfshijnë 97 vdekje të reja dhe gjithsej 44,653 njerëz të konfirmuar si të infektuar që nga shpërthimi i koronavirusit muajin e kaluar. Disa ekspertë kanë hedhur dyshime nëse ky është numri i plotë i rasteve. Nëse shifrat janë të sakta, kjo mund të linte vend për një farë optimizmi sepse 2,105 rastet e reja të konfirmuara të martën, shënojnë një nivel më të ulët se sa ato të raportuara ditët e mëparshme.
Shumica e rasteve me koronavirus janë brenda Kinës, por ka disa qindra të infektuar në dhjetëra vende të tjera, zakonisht pas udhëtimit nga Kina. Kina ka izoluar disa zona të banuara për të ndalur përhapjen e virusit.